I vetmi dëshmitar që u paraqit në gjyqin për Gërdecin këtë të martë, ishte ish-anëtari i komisionit të çmimeve për vitin 2007, por ai nuk preferoi të fliste. Ndërsa dy dëshmitarët e fundit, ish-shefi i shtabit të ushtrisë Luan Hoxha dhe ish-sekretarja e ministrisë së Drejtësisë Anjola Agolli nuk u gjetën nga policia.
Sipas komunikimeve që policia ka patur me familjarët e Agollit, ata thanë se ajo nuk ndodhej në Shqipëri. Por, nga një verifikim i bërë nga prokurorët e posaçëm në sistemin TIMS, rezultoi se Agolli ndodhet në Shqipëri.
Ndërsa për Luan Hoxhën, i cili ndodhet në SHBA, u vendos të administrohej dëshmia e tij dhëna më datë 17 Shkurt 2009 si, person i pandehur. Avokatët e Mediut këmbëngulën që Luan Hoxha të pyetet me letërporosi ose përmes video konferencës. Por, sipas prokurorit kjo gjë është e pamundur pasi nuk i dihet adresa në SHBA.
Fatmir Mediu, ish-minister i Mbrojtjes: Prokuroria sjell atë volum shkresash pa përcaktuar qartë se kush janë përgjegjësitë e ministrit të Mbrojtjes. I kërkuam prokurorisë të na thotë ku është përgjegësia e ministrit në kuadër të shpërdorimit të detyrës. Nëse debati nuk do të zhvillohet, por do të bëhet i përgjithshëm mendoj se është proces që po tentohet të kalohet.
Mbrojtja e Mediut i kërkoi Prokurorisë të përcaktonte rolin dhe përgjegjësitë Mediut lidhur me provat që ato administrojnë. Ish-ministri tha për mediat pas seancës se, po tentohet të mbyllet sa më shpejt procesi gjyqësor.
Fatmir Mediu, ish-minister i Mbrojtjes: Kam rezerva se duket qartësisht ata që janë dëshmitarë kryesorë nuk kanë pranuar të pyeten. Shefi i shtabit duhet patjetër të japë përgjigje disa pyetjeve për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Nuk është kaq e vështirë për të gjetur adresën e një qytetari në SHBA.
Seanca e radhës do të zhvillohet më 24 Prill ora 12:00.
Klan News