Vijon seanca për çështjen e “Gërdecit” në GJKKO. Avokati i ish-ministrit Fatmir Mediu, Ardian Visha ka rreshtuar pyetjet ndaj 5 ekspertëve që kanë përcaktuar dëmin ekonomik të shpërthimit në 2008-ën. Ekspertët janë shprehur se akt-ekspertimin në atë kohë e kanë shkruar e firmosur të gjithë bashkë. Njëri prej tyre ka kërkuar kohë që t’i lexojnë pyetjet me shkrim, pasi bëhet fjalë për materiale të para 17 viteve.

Ardian Visha: Ju të gjithë bashkë keni bërë interpretim në akt, që shënimet e ministrit janë urdhra. Mbi ç’bazë e keni bërë?

Eksperti Bexhed Zeqiri: Ne e kemi të vështirë të biem dakord për çdo përgjigje. Ndaj kërkoj t’i marrim pyetjet me shkrim dhe të përgjigjemi. S’mund të biem dakord 5 veta për 2-3 sekonda. Na vini në vështirësi edhe ne. Tani nuk mundemi, për një material që është 500 faqe. E kemi lexuar materialin disa herë, por nuk mundemi të përgjigjemi tani.

Ardian Visha: Sugjerimi im është që ekspertët të përcaktojnë metodologjinë e punës së tyre, si e kanë kryer aktin. Është e pamundur të adresojmë pyetje konkrete. Kush ka shkruar kë? Si e kanë ndarë punën? Kështu siç thotë eksperti që puna është bashkë, është e vështirë të bëjmë pyetje.

Klodian Braho: Ne mendojmë që të vazhdojmë me pyetjet e ekspertëve. Nëse ata nuk janë në gjendje të përgjigjen sot, të marrin kohën e duhur.

Ardian Visha: Kjo nuk është mënyrë pune. Kush prej jush ka cilësi vërtetë shkencore me titull akademik?

Ekspertët: Asnjë prej nesh.

Ardian Visha: Vlerësoni komplimentin e madh që ju bëri gjyqtarja që tha jeni shkencëtarë. Ata janë caktuar sepse janë urdhëruar si të tillë, në kohën e veprimit. Ne pretendojmë tejkalim të kompetencave të tyre për nxjerrjen e konkluzioneve.

/tvklan.al