Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojë të zbatojë ligjin duke garantuar vazhdimin e botimit të teksteve shkollore sipas nevojave për të mos lejuar që këto tekste të kthehen në një produkt tekash të një apo disa autorëve, të cilët shfaqin pretendime në formë të paligjshme dhe të pamoralshme. Këtë ka deklaruar ministri Memushi sot gjatë konferencë për shtyp ku u shpall edhe konkursi për hartimin e teksteve për sistemin e ri shkollor.

Luan Memushi: “Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, si autoriteti përgjegjës shtetëror, ka urdhëruar dhe drejtuar vazhdimisht punën për hartimin, miratimin dhe botimin e tyre me fondet e buxhetit të shtetit, do të vazhdojë të zbatojë ligjin edhe për këtë periudhë tranzitore. Shteti do të sigurojë në vazhdimësi tekstet e nevojshme shkollore për çdo shkollë dhe nxënës duke mos lejuar përvetësimin e kësaj pasurie individuale nga individë a subjekte të caktuara me forma e metoda të paligjshme dhe të pamoralshme që përpiqen të abuzojnë me të vërtetën përmes emblemash dhe simbolesh të vjedhura.”

Nga ana tjetër, botuesit vazhdojnë të këmbëngulin se Ministria e Arsimit po nëpërkëmb të drejtat e tyre ekonomike dhe morale në të njëjtën kohë.

Teuta Mati: “Unë e pashë që vazhdonte po ajo arrogancë e shetit kundrejt individëve dhe asnjë mundësi për një bisedë të përbashkët me autorët. Në takimin që neve kemi patur pardje me autorët ka pasur mbi 60 autorë nga më titullarët e shtëpisë botuese dhe ata kanë kërkuar të drejtat morale dhe ekonomike që u janë shkelur.”

Ndërsa, për sa i përket konkursit të shpallur sot për sistemin e ri arsimor, tekstet e të cilit duhet të jenë gati pas 4 vjetësh, Memushi ftoi të gjithë shtëpitë botuese të librit të kontribuonin në atë që ai e quajti reformën më thelbësore të arsimit. /tvklan.al