Ylli Rakipi: “Unë mendoj që ky është një veprim i nxituar dhe parlamenti mendoj që nuk duhet ta bëjë një veprim të tillë. Së dyti, do të thoja që ky është një terren i përshtatshëm për zotin Lesi, ai vepron mirë në terrene të tilla dhe nuk është as në të mirën e zotit kryeminstër dhe zonjës së vet apo të qeverisë do të thoja, në rastin konkret që të vazhdonte këtë lloj lufte me këtë segment të medias. Rasti konkret është i tillë që është një individ që e kërkon një gjë të tillë dhe çdo individ tjetër shqiptar nuk do të mundte dot një individ i zakonshëm të realizonte heqjen e imunitetit të një deputeti. Kur këtë e bën zonja e kryeministrit këtu ky është një element që tregon që është e veshur me…, është njeri që përdor pushtetin në këtë rast.”
Mero Baze: “Mendoj që ka dy probleme të rënda te çështja Lesi lidhur me heqjen e imunitetit. Problemi i parë është që zoti Lesi nuk është i konfrontuar drejtpërsëdrejti me kryeministrin shqiptar apo me gruan e kryeminsitrit. Është e pamoralshme që kryeministri të angazhojë partinë e tij politike dhe kryesinë e Partisë Socialiste dhe t’i urdhërojë ata të votojnë politikisht për një konflikt i cili nuk është mes partisë dhe zotit Lesi, por mes zotit Lesi dhe një qytetareje që është gruaja e kryeministrit. Problemi i dytë që ekziston këtu në mënyrën e heqjes së imunitetit është fakti që zoti Nano ka një krizë politike brenda partisë dhe po përpiqet ta përdorë heqjen e imunitetit të zotit Lesi si një lloj testimi për besnikërinë politike në Partinë Socialiste. Të dy këta elemente janë elemente jashtë kontureve të një konflikti mes gazetarit dhe pushtetit. Janë thjesht çështje personale dhe çështje politike të kryeministrit Nano, i cili për këto dy çështje po viktimizon gazetarin dhe botuesin Lesi.”
Preç Zogaj: “Kërkesa për heqjen e imunitetit të Nikollë Lesit është një kërkesë që nuk bind, prandaj dhe unë dhe grupi parlamentar Aleanca për Demokraci që unë kryesoj do të votojmë kundër. Nuk bindem për përmbajtjen që ka. Ka çështje që mund të meritonin një shqyrtim mbi bazën e një padie civile ose do t’i kisha sugjeruar Lesit që vetë ai t’u përgjigjej pyetjeve që mund të kenë gjyqtarët, por shikojmë që nuk ka një lëndë që përligj një veprim kaq të fortë, siç është heqja e imunitetit. Ka më shumë pasion politik në gjithë këtë ndërmarrje sesa gjakftohtësi dhe logjikë juridike për mendimin tim.” /tvklan.al