Arben Imami: “Në këtë pikëpamje socialistët duhet të shprehen, janë për ta zgjidhur këtë problem apo nuk janë. Në qoftë se nuk janë për ta zgjidhur këtë problem, çdolloj propozimi që është bërë është pavlerë. Në qoftë se janë për ta zgjidhur këtë problem dhe nuk janë dakord me propozimet që ka bërë OSBE-ja, apo me propozimet që ka bërë opozita, le të thonë propozimin e tyre, sepse përgjegjësinë kryesor për zgjedhjet në Shqipëri e ka Partia Socialiste, mazhoranca aktuale, nuk e ka as komuniteti ndërkombëtar, as opozita. Në qoftë se propozimet që vijnë nga këto palë të tjera nuk përputhen me vizionin e Partisë Socialiste, Partia Socialiste thotë çfarë do dhe si do ta realizoj që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë problemi më kardinal, më i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë. Çfarëdolloj zgjidhje teknike është e mundshme. Zgjidhje teknike e parë dhe më e largët është të përmirësohet kushtetuta në nenin përkatës për bërjen e komisionit qëndror të zgjedhjeve, gjë që nuk prek balancat kushtetuese, gjë që nuk prek tërësinë e sistemit politik në Shqipëri, është një aneks, i cili, në qoftë se do të ketë mirëkuptim, marrëveshje dhe kompromis politik midis palëve, mund të ndreqet pa i dhënë asnjë goditje kushtetutës. Një mënyrë e dytë do të ishtë të vendosej një detyrim në kodin zgjedhor për të realizuar atë që nuk u realizua vjet nga kodi zgjedhor, mund të ishte një variant i dytë. Varianti i tretë dhe ideal do të ishte dhe do të kishte qenë gjithmonë që aktorët politikë, i pari presidenti i vendit dhe pastaj të tjerët ta zbatojnë kushtetutën, sigurisht gërmën e kushtetutës, sigurisht, por të zbatojnë edhe frymën e kushtetutës. Nuk thotë kushtetuta që presidenti i vendit apo parlamenti të bëjë emërime në të gjitha institucionet, në të gjitha agjencitë, pa biseduar me partitë politike, pa u konsultuar me to, pa marrë mendimin e tyre, si mund të ndërtohet KQZ-ja, si mund të emërojë presidenti i vendit një anëtar të KQZ-së pa biseduar me palët politike pozitë-opozitë gjithmonë. Ky është procesi kushtetues politik, përndryshe atëherë duhet të bëjë një rregullore të qarkullimit rrugor sa hapa ecën presidenti majtas sa ecën djathtas.” /tvklan.al