Kryetari i Partisë Demokristiane Nikollë Lesi propozon që kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit t’i përkasë, ose Partisë Demokratike, ose një personi të pavarur politikisht dhe ekspert në fushën e ekonomisë.

Nikollë Lesi: “Ka dy zgjidhje presidenti, o emrin që propozon Partia Demokratike si opozitë kryesore, o asnjë emër nga opozita, të jetë vetëm emër eksperti i pavarur. Ky njeri të jetë sa më larg politikës, ky njeri që ka institucionin kryesor të kontrollit të buxhetit të shtetit, të parave, të taksapaguesve shqiptarë, të jetë njeri larg influencave të presidentit apo segmenteve të ekzekutivit. Po, jam me zotin Berisha, sepse në këtë rast ka shumë e shumë të drejtë, ndonëse në disa raste të tjera mund të ketë gabuar, në këtë rast ka të drejtë, sepse po kërkon zgjedhjen e një njeriu në këtë post që ka mandat 7 vjet.”

Sipas Lesit, institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk duhet të drejtohet nga individë që janë përfaqësues të forcave të tjera politike, të mazhorancës socialiste, madje as nga vetë partitë e vogla opozitare, duke kundërshtuar në këtë mënyrë emrin e republikanit Robert Çeku. Kjo kandidaturë, sipas Lesit, është lojë e Presidentit Moisiu për të përçarë opozitën. Lesi shprehet se, nëse kandidatura nuk do të plotësojë një nga variantet e përmendura me lart, nuk do të votohet nga demokristianët. /tvklan.al