Prej disa kohësh tashmë Floriana Garo është angazhuar pranë Partisë Demokratike si zëdhënëse dhe anëtare e Kryesisë. E pyetur në “Aldo Morning Show” në Tv Klan nëse një zëdhënëse duhet t’i ngjajë liderit të partisë, Garo mendon se ajo është zgjedhur pikërisht për shkak të kontrastit me Berishën.

Floriana Garo: Një zëdhënëse duhet të përçojë fjalën e kryetarit dhe të jetë imazhi dhe fjala e partisë. Megjithatë, nuk është e thënë që të jetë si kryetari dhe madje unë mendoj që jam përzgjedhur pikërisht se nuk jam në imazh si kryetari.

Aldo: Shyqyr që nuk je si kryetari!

Floriana Garo: Unë zotin Berisha e vlerësoj, kam një vlerësim të jashtëzakonshëm për atë që ai përfaqëson dhe atë që ai është, por imazhi që ai përçon është i ndryshëm nga i imi dhe mendoj që ai më ka përzgjedhur mua pikërisht për ta bërë këtë kontrast dhe unë duhet ta ruaj.

Garo shton se është e rëndësishme që një zëdhënës të ruajë autenticitetin, edhe duke e luftuar tundimin për të huazuar fjalë apo gjeste.

Floriana Garo: Unë jam aty për të përçuar këtë imazh pozitiv që unë kam dhe këtë qasje pozitive që unë kam. Në qoftë se kryetari ose dikush tjetër atje, ka një tjetër qasje dhe për atë ka qenë i suksesshëm, për atë është votuar, për atë është vlerësuar pastaj secili mban natyrshmërinë e tij.

Aldo: Më mirë Floriana që flet dhe i vendos pikat mbi “i” apo Floriana e heshtur që vepron pa rënë në sy?

Floriana Garo: Unë vetëm e heshtur dhe pa rënë në sy nuk kam qenë ndonjëherë.

Aldo: Ndryshon njeriu me kalimin e kohës.

Floriana Garo: Secili person mund të jetë i ndryshëm, pra ka edhe njerëz që iu funksionon kjo duke qenë i heshtur dhe pa rënë në sy arrijnë gjërat që dua. Unë kam qenë shumë vokale për gjërat që kam menduar, që kam besuar dhe kjo është natyra ime dhe mendoj që njeriu duhet të jetë i rreshtuar me natyrën e tij për të patur suksesin që kërkon./tvklan.al