Në një fjalim në Parlamentin e Austrisë, kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker u shpreh të premten mbi perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Sipas AFP, nëse vendet e BE-së nuk e kanë seriozisht me anëtarësimin e Shqipërisë, Bosnjes, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, e Malit të Zi, kjo mund të çojë në një luftë të re, tha Juncker.

Nëse në këtë pjesë të komplikuar të Europës, krijohet përshtypja, se ne nuk e kemi seriozisht me anëtarësimin europian për Ballkanin Perëndimor, atëherë më vonë, – e ndoshta më herët- ne do të përjetojmë sërish atë që përjetuam në vitet 90-të në Ballkan

“, theksoi Juncker në Hofburgun vjenez duke pasur parasysh luftërat në Jugosllavi.

“Hapësirë ekonomike”

Megjithatë Juncker pranoi se rruga e vendeve të Ballkanit drejt BE-së „është e gjatë”. Vërtet që ata kanë bërë përparime, por „jo aq sa duhet”. Presidenti i Komisionit Europian kërkoi që në këtë fazë të ndërmjetme të ofrohet një „hapësirë ekonomike”, në të cilën këto vende do të silleshin

pjesërisht, siç do të vepronin një ditë si vende anëtare.”

Që në dhjetorin e kaluar, Juncker kishte theksuar, se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është vendimtar për stabilitetin e rajonit. Ndërsa në strategjinë e BE-së për Ballkanin në shkurt 2018, u përmend viti 2025 si vit i mundshëm anëtarësimi për Malin e Zi dhe Serbinë. Por në Vjenë Juncker tha se 2025-a është afati më i hershëm. Juncker u bëri thirrje vendeve të BE-së, që të „kujdesen” për Ballkanin e „të ndihmojnë aty ku është e nevojshme”. Por vetë këto vende, duhet ta dinë se duhet t’i zgjidhin konfliktet e tyre për kufijtë para anëtarësimit, tha Juncker./DW