Për ekspertët e sigurisë, një nga problemet me bunkerët e mbetur funksionalë në Gjermani është se ata thjesht nuk plotesojnë standardet moderne.
“Përsa i përket situatës së bunkerëve, mund të themi se ka shumë pak bunkerë. Kanë mbetur rreth 580 bunkerë nga rreth 2000 të tillë që ishin në vitin 2007. Por dhe këtu vjen një “por” e madhe kur flasim për faktin se sa mbrojtës janë. Këta bunkerë i përkasin periudhës së fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe të fazës së hershme të Luftës së Ftohtë dhe nuk garantojnë më mbrojtje kundër sulmeve me raketa bërthamore. Kjo është arsyeja pse shumë prej tyre u braktisën, sepse ishin të shtrenjta për t’u mirëmbajtur”.
Megjithatë për ekspertin e sigurisë, problem nuk janë bunkerët por fakti që Gjermania nuk ka një sistem të sofistikuar të mbrojtjes ajrore.
“Unë besoj se individët apo edhe administratat e kompanive nuk mund të mbrohen nga një konflikt ushtarak, e jo më kundër një agresioni të mundshëm rus. Kjo do të thotë se mbrojtja duhet të vijë nga shteti. Shteti ka një ushtri, që duhet të forcohet më mirë kundër sulmeve me raketa. Ne kemi nevojë për një sistem modern të mbrojtjes ajrore.”
Pas agresionit rus të Ukrainës në Shkurt 2022, Gjermania është fokusuar gjithnjë e më shumë për mbrojtjen në tokën e saj. Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Brendshme, Gjermania ka punuar për një propozim për të zgjeruar numrin e strehimoreve në dispozicion për civilët duke evidentuar objektet publike dhe private që mund të rindertohen nëse është e nevojshme.
Bodrumet, parkingjet nëntokësore dhe stacionet e metrosë mund të shndërrohen në vendstrehimore dhe me anë të një aplikacioni të veçantë, mund të informoheni se ku është bunkeri më i afërt.
Ekspertët mendojnë se paratë duhet të shpenzoheshin më mirë për ndërtimin e sistemeve të mbrojtjes raketore dhe ajrore të vendit sesa në bunkerë. Një raketë e lëshuar nga Kaliningrad do të arrinte në Berlin nga dy deri në katër minuta, që do të thotë se nuk mjafton koha për të gjetur një strehë.
“Mund ta ilustroj këtë duke përdorur shembullin e enklavës së Kaliningradit. Prej aty, një rakete hipersonike i duhen 2 deri në 4 minuta për të arritur në Berlin, Paris ose Londër. Kjo do të thotë se nuk ka më të njëjtën kohë paralajmërimi si në Luftën e Dytë Botërore. Koha e paralajmërimit është bërë aq e shkurtër sa nuk mund të shkoni më në një bunker me familjen tuaj, ose të merrni sende të përshtatshme me vete.”
Gjermania aktualisht ka 579 strehimore publike me një kapacitet prej rreth 480,000 njerëz.
Megjithatë, sipas Kay Heyne, drejtorit të muzeut “Berlin Underëorld”, këto vendstrehimore nuk janë gati për përdorim të menjëhershëm dhe fillimisht do të duhet të përmirësohen.
“Në ditët e sotme nuk ka mbrojtje strukturore civile në një formë të tillë siç ishte më parë. Tashmë ka rekomandime, të cilat me sa duket do të kalojnë ligj në një moment, që nëse më e keqja vjen, njerëzit duhet të kërkojë dhoma të mbyllura, sa më të ulëta të jetë e mundur, me sa më pak dritare dhe dyer në mënyrë që të mbrohen nga shpërthimet.”
Organizatat e mbrojtjes civile në Gjermani kanë bërë thirrje për një zgjerim më të shpejtë të strehimoreve, që përfshin ndërtimin e strukturave në të cilat mund të qëndrojnë deri në 5000 njerëz në një hapësirë të shkurtër kohore.
“Nga ato që janë ende në dispozicion më pak se 500 objekte në mbarë vendin, sipas Ministrisë së Brendshme Gjermane – asnjë nuk mund të përdoret. Prandaj ato duhet të përmirësohen së pari. Për ta bërë këtë, duhet të përcaktohet për çfarë qëllimi janë të destinuara në të vërtetë, d.m.th. nisur nga kohëzgjatja, çfarë cilësie qëndrimi duhet të kenë këto strehëza, që ndoshta do të kërkonin disa miliardë euro për të rinovuar sistemet”.
Gjermania është përqendruar gjithnjë e më shumë në mbrojtjen në tokën e saj që kur lufta në Ukrainë ngjalli frikën e përshkallëzimi më të gjerë në kontinentin evropian.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz kishte premtuar një fond special prej 100 miliardë Eurosh për të modernizuar ushtrinë menjëherë pas shpërthimit të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës në vitin 2022.
Qeveria e tij e koalicionit rriti gjithashtu shpenzimet e mbrojtjes në 52 miliardë Euro këtë vit, por zvogëloi planet ambicioze për shkak të kufizimeve të rrepta buxhetore.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s u kërkoi bizneseve të përgatiten për një skenar të kohës së luftës dhe të rregullojnë linjat e tyre të prodhimit dhe shpërndarjes në përputhje me rrethanat, në mënyrë që të jenë më pak të cënueshëm ndaj shantazheve nga vende si Rusia dhe Kinë.
Sipas planit, për të cilin mediat gjermane raportuan në fillim të këtij muaji, qeveria, ushtria, autoritetet e sigurisë dhe shërbimet e urgjencës po koordinojnë se si mund ta mbrojnë vendin në rast konflikti.
Si pjesë e planit, i cili është konfidencial, përfaqësuesit e ushtrisë ftohen rregullisht për të informuar bizneset se cilat pika të përgjithshme duhet të marrin parasysh në përgatitjet e tyre, tha muajin e kaluar një zëdhënës i Ministrisë Gjermane të Mbrojtjes.
Klan News