Puntata e javës së shkuar në “Shihemi në Gjyq” trajtoi konfliktin e Arjanës dhe Arbianës, nënë e bijë që vuanin një dramë të madhe. Arjana ishte gjyshja që donte të kishte në shtëpi mbesën e vogël, ndërsa Arbiana kishte vuajtur dhunën në familjen e bashkëshortit si dhe i kishin marrë tre fëmijët, të cilët nuk i sheh prej kohësh.
Ndërmjetësja e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani zhvilloi edhe një telefonatë në studio me vjehrrin e Arbianës i cili u shpreh me fjalë të rënda për nusen. Në një përditësim rreth rastit, Çobani bëri thirrje përpara nisjes së seancës së radhës që gratë të mos heshtin dhe të denoncojnë dhunën.
Ajo pati edhe një mesazh për gratë në sistemin e drejtësisë dhe heshtjen e tyre ndaj dhunës, duke u kujtuar se do t’i shkojë deri në fund së vërtetës për Arbianën dhe çdo grua të dhunuar.
Eni Çobani: Java e kaluar ka qenë një trishtim i madh, Ardit. Gjuha e përdorur në publik ka qenë e niveleve më të rënda që ne kemi transmetuar ndonjëherë. Është mbështjellë në këtë dhimbje e gjithë shqiptaria, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën dhe lufta vazhdon. Nuk e di pse duhet të bëjmë kaq beteja në Shqipëri për të fituar një grua të drejtën e saj, por një gjë duhet të dini: asnjëherë mos heshtni! Dhuna është e papranueshme nga kushdo që vjen, prandaj ne jemi këtu të themi të vërtetat tuaja dhe të gjeni ju qetësinë e shpirtit tuaj dhe deri në fund me të vërtetën! Edhe për ata, kam një mesazh të veçantë të cilin nuk besoj të jetë e vërtetë, por meqenëse këtë mesazh e marr nga një sallë e sistemit të drejtësisë, ky mesazh i ndihmës ndaj grave u shkon të gjithë atyre grave të sistemit të drejtësisë që ndonjëherë merren ndoshta me punë të tjera dhe nuk e ndjekin emisionin. Emisioni vazhdon, misioni vazhdon dhe ne do të jemi në betejë të hapur për të fituar të drejtat e çdo gruaje të dhunuar në Shqipëri.
Ardit Gjebrea: Unë nuk mendoj që ndonjë zonjë në sistemin e drejtësisë është aleat me dhunën ndaj gruas, këtë nuk mund ta besoj dot, megjithatë…
Eni Çobani: Përdore një fjalë të madhe, “aleancë” që unë nuk mund ta them, patjetër që kemi aleatë të dhunës, por që kemi njerëz që heshtin për dhunën dhe nuk duan të merren me të, kemi plot.
Ardit Gjebrea: Kjo është po aq e rëndë.
Eni Çobani: Unë flas për atë pjesë, Ardit, jo aleatë sepse aleanca shkon më tej dhe nuk dua ta pranoj që të ketë, por që heshtin dhe që nuk duan të merren me këtë, që janë indiferentë, kemi plot dhe për këtë, sigurisht, seanca të tjera kemi plot në vazhdim dhe unë hap pas hapi do të them të vërtetën e sistemit të drejtësisë deri në fund për Arbianën!/tvklan.al