Shqipëria dhe Kroacia rikonfirmojnë vullnetin për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u prit në Zagreb në një takim nga homologu kroat, Gordan Jandrokovic, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve sidomos sa i takon dialogut politik.
Ilir Meta: “Shqipëria dhe Kroacia janë dy vendet më të reja anëtare të NATO-s dhe kjo erdhi si rezultat i bashkëpunimit tonë rajonal. Njëkohësisht ne po bashkëpunojmë shumë ngushtë me Kroacinë në procesin e integrimit europian dhe jemi të bindur që kemi shumë mundësi të përfitojmë nga eksperienca kroate në këtë drejtim. Shqipëria muajin e ardhshëm do të dorëzojë përgjigjet e pyetësorit të Bashkimit Europian dhe njëkohësisht besojmë që Brenda këtij viti për arsye se i kemi plotësuar të gjitha kriteret të fitojmë dhe procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian.”
Meta mori siguri nga homologu Jandrokovic, se pala kroate do angazhohet në gjetjen e një zgjidhjeje për heqjen e vizave më Shqipërinë.
Në këtë kontekst shefi kroat i diplomacisë vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.
Dy vendet vlerësuan bashkëpunimin e frytshëm në kuadër të proceseve euroatlantike. Në fund të diskutimeve u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit midis akademive diplomatike.
Ministri Meta u takua me presidentin Ivo Josipovic, kryeministrin Jadranka Kosor si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar që punon e jeton në Kroaci./tvklan.al