Me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka marrë mesazh urimi nga Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.
Në mesazhin e Tij, drejtuar Kreut të Shtetit shqiptar, Presidenti Mattarella uron:
“Kremtimi i Ditës kushtuar Pavarësisë më jep mundësin t’ju përcjell Ju dhe të gjithë bashkëqytetarëve Tuaj urimet më të përzemërta për një të ardhme të begatë për Republikën e Shqipërisë!
Tiranën dhe Romën i bashkon një marrëdhënie tejet e konsoliduar në rritje të vazhdueshme, falë edhe rolit dinamik të komunitetit shqiptar në vendin tonë, si edhe atij italian në Shqipëri.
Italia ndan plotësisht aspiratën e ligjshme të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane dhe mbështet me bindje e vendosmëri çeljen pa hezitim të negociatave të anëtarësimit.
Marrëdhëniet midis vendeve tona janë shumë të ngushta, edhe në nivel shumëpalësh si rrjedhojë e të qenit pjesë e Aleancës Atlantike dhe bashkëpunimit të nisur në funksion të mandatit të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për dyvjeçarin 2022-2023.
Me këtë frymë dhe me ndjenja miqësie të sinqertë, ju shpreh dhe njëherë urimet e mia më të përzemërta, Juve dhe popullit shqiptar me rastin e kësaj date të shënuar!”/tvklan.al