Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ish-kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta ka komentuar deklaratat e njëpasnjëshme të kryesueses së radhës të Bashkimit Europian lëshuar qeverisë ditët e fundit. Për të kjo deklaratë nuk është surprizë, rrezikon zgjedhjet, negociatat janë të vështira, e largohemi gjithnjë e më shumë me BE.

Ilir Meta: “Këto deklarata janë paralajmëruese, për qeverinë, për shtetin, por edhe për shoqërinë shqiptare, për humbjen çdo ditë shanseve për t’u integruar në BE, për shkak të mungesës së vullnetit politik për të bërë reformat e kërkuara të cilat mbeten gjithmonë të njëjtat reforma, që nuk realizohen dhe për një arsye, besoj tashmë shumë të qartë, atë të konfliktit të interesave. Tashmë është e qartë, se për arsye të zvarritjes së këtyre reformave, por njëkohësisht edhe për shkak të rrezikimit të integritetit të zgjedhjeve të ardhshme nga mungesa e vullnetit për të bërë një reformë të ndershme dhe transparente zgjedhore, sipas standardeve ndërkombëtare, negociatat do të jetë shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur që të përfundojnë ndoshta dhe brenda këtij viti. Qeveria aktuale ka një qëndrim shumë të qartë, nënvleftësues, neglizhues dhe injorues, ndaj rekomandimeve të BE-së, por edhe ndaj rekomandimeve të institucioneve të tjera ndërkombëtare.”

Deklaratat e BE-së për kryetarin e Socialdemokracisë Milo është një karton i verdhë dhënë kësaj qeverie. Sipas tij, ajo duhet të reflektojë me vepra dhe jo me fjalë.

Paskal Milo: “Janë në vetvete një karton i verdhë që po i jepet qeverisë shqiptare në lidhje me vonesat në procesin e zbatimit të reformave në kuadrin e integrimit evropian të Shqipërisë. Nuk është hera e parë që vijnë mesazhe kritike nga Brukseli, mos harrojmë që ka veç disa muaj, që raporti i Komisionit Europian ishte me mjaft kritika. Kjo duhet ta bëjë të mendojë thellë dhe shumë seriozisht, të reflektojë në mënyrë të menjëhershme jo vetëm qeverinë shqiptare, por të gjitha institucionet e shtetit shqiptar. Qeveria duhet të bëjë një kthesë të rëndësishme, qeveria duhet të përmirësojë në mënyrë radikale stilin dhe metodën e saj të qeverisjes.”

Sekretari për marrëdhëniet me jashtë në PD Besnik Mustafaj, dënon indiferencën e qeverisë ndaj deklaratave të BE-së. Qëndrimi i partisë në pushtet, sipas Mustafajit bie në kundërshtim me interesin e madh që ka vendi ynë për t’u integruar në BE. Nëse PD e pranon krijimin e një qeverie të përkohshme për të përshpejtuar reformat, Mustafaj përgjigjet.

Besnik Mustafaj: “Nuk është një formulë që artikulohet për herë të parë është shumë mirë që zoti Godo e riaktualizon këtë formulë zgjidhje dhe PD e mbështet tërësisht idenë e zotit Godo.”

Mbështetje ndaj deklaratës së BE-së duke e quajtur alarmante, ka dhënë dhe Lëvizja e Legalitetit.

Ekrem Spahia: “Kryeministri Nano, nëse ka sadopak ndërgjegje kombëtare, politike dhe qytetare, duhet të japë dorëheqje për të zhbllokuar reformat në proceset integruese dhe për të mundësuar zhvillimin e zgjedhjeve të lira, pasi zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë jetike për vendin.”/tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti