Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në një komunikim me mediat ka përshëndetur futjen e opozitës në parlament brenda afateve kushtetuese.

Duke iu përgjigjur interesit e gazetarëve, zoti Meta tha se nëse deputetët e selisë rozë do të vijojnë me bojkotin, sikundër është shprehur zoti Rama atëherë sipas Ministrit të Jashtëm kjo do të vërtetojë se opozita hyri në Kuvend vetëm për të mos djegur mandatet.

Për zotin Meta lidershipi i socialistëve po kërkon që të krijohet një precedent destabilizues e që synon të rrënojë parimin kushtetues për ndarjen e pushteteve.

Ai shkon më tej kur thotë se kryesocialisti po tregohet njëherazi jo i sinqertë edhe me ndërkombëtarët, pasi sipas tij po kundërshton edhe shqyrtimin e kërkesës për hapjen e kutive të votimit nga Komisioni i Venecias, një sugjerim ky i bërë edhe nga socialistët evropianë.

Ilir Meta: “Në rast se ata kanë deklaruar se nuk do të kthehen më pa hapur kutitë, do të thotë se kanë ardhur në Parlament thjesht sepse u digjeshin mandatet për shkak të afatit kushtetues, gjë që tregon që nuk kanë vullnetin për të ecur në rrugën e dialogut dhe në rrugën e zgjidhjes edhe të pretendimeve që ata kanë. Është njëkohësisht për të ardhur keq që kundërshtojnë edhe institucione tepër të njohura ndërkombëtare, përsa i takon ligjit dhe demokracisë, si Komisioni i Venecias, i cili është një institucion shumë kredibël që i referohet i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe që ka ndihmuar Shqipërinë edhe në bërjen e vendit me Kushtetutë, edhe sa herë ka patur probleme të interpretimeve të ndryshme të legjislacionit. Megjithatë unë shpresoj që ata të jenë konstruktivë”.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, zoti Meta iu kundërpërgjigj edhe idesë së Ramës për zgjedhje të parakohshme, duke thënë se ato të radhës do të mbahen në 2013-tën.

Ilir Meta: “Çështja e ndryshimit të qeverisë apo të kryeministrit është e pamundur një, për arsye sepse koalicioni është shumë i qëndrueshëm dhe ka një mazhorancë solide. Së dyti, është dhjetë herë më i vështirë sesa ka qenë përpara dy vitesh apo tre vitesh, falë ndryshime që iu bën kushtetutës. Kështu që zgjedhjet e reja janë vetëm në Qershor të vitit 2013 dhe të gjithë duhet të kenë durim dhe duhet të përgatiten për këtë sfidë në kohën e duhur.”

Po kështu, zëvendëskryeministri foli edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, ku tha se ato do të hiqen për Shqipërinë brenda këtij viti.

Ilir Meta: “Dua të shpreh besimin tim se me këtë ritëm dhe përgjegjshmëri do të vijohet edhe në javët dhe në muajt e ardhshëm, në mënyrë që brenda vitit të përmbushet ai angazhim i shumëpritur për të gjithë qytetarët për të realizuar, pra liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët shqiptarë.”

Kjo deklaratë e zotit Meta vjen një ditë pasi Komisioni Evropian u shpreh i gatshëm të hartojë raportin për liberalizimin e vizave me Bosnjën dhe Shqipërinë në muajin Prill./tvklan.al