“Qytetarët e Vlorës e kanë të qartë se kush gënjen”
“Ka qysh nga fillimi i Nëntorit që presim plotfuqinë, një autorizim formal i Presidentit, pasi kemi bërë të gjithë negociatën me fondin saudit… E ka marrë vesh e gjithë Vlora që e bllokon Ilir Meta. Unë nuk e di çfarë ka…”
Kjo ishte deklarata që Kryeministri Edi Rama bëri të hënën nga Vlora ku akuzoi Presidentin e Republikës, Ilir Meta se po mbante peng projektin e segmentit nga Uji i Ftohtë deri në Orikum.
Në një konferencë të posaçme për mediat, kreu i shtetit i ka hedhur poshtë si të pavërteta këto akuza, duke theksuar se Kryeministri kërkon të bëj propagandë për qëllime politike.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit hodhi dyshime të forta se qeveria ka negociuar një marrëveshje në kundërshtim me ligjin pa marrë më parë autorizimin për negociatat dhe duke vënë në rrezik interesin e shtetit shqiptar.
Presidenti publikoi korrespondencën shkresore të shkëmbyer mes institucionit që ai drejton dhe Ministrisë së Financave, ku kjo e fundit pranon se nuk ka kryer negociata për marrëveshjen e re të financimimit nga fondi saudit.
Ai gjithashtu ngriti pretendimin se qeveria vetëm për qëllime elektorale prishi kontratën për financimin e lotit të katërt të rrugës së lumit të Vlorës për ta transferuar fondin në projektin e rrugës Uji i ftohtë-Orikum.
Tv Klan