Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Shefi i diplomacisë gjermane Joshka Fisher, ka ftuar drejtuesit e shtetit shqiptar, Mejdani, Meta e Milo, të japin kontributin e tyre në stabilitetin e Maqedonisë. Në takimin me Ministrin e Jashtëm Paskal Milo, shefi i diplomacisë gjermane Joshka Fisher tha, se shqiptarët kudo që janë nuk duhet të konsiderohen si qytetarë të dorës së dytë.

Fisher propozon pjesëmarrjen e udhëheqësve politikë të shqiptarëve të Maqedonisë, në bisedimet mes autoriteteve të Shkupit dhe Bashkimit Europian. Milo tha, se nuk ka asnjë bazë për të ashtuquajtura pretendime, për ndonjë Shqipëri të Madhe. Qeveria shqiptare mbështet integrimin dhe sovranitetin e Maqedonisë. Kundër dhunës, ekstremistëve është shprehur edhe kryeministri Ilir Meta.

Kryeministri Ilir Meta:- “Ndaj të njëjtin shqetësim dhe njëkohësisht edhe të njëjtin angazhim, për zhvillimet e fundit në rajon dhe sidomos në Maqedoni. Problemet në Maqedoni, mund të shtrohen dhe mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet rrugës së dialogut, larg dhunës dhe ekstremizmit”.

Qeveria shqiptare, shpreson në mbështetjen e Gjermanisë për Asocimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame