Shtetet e Bashkuara i kanë cilësuar zgjedhjet e 28 qershorit si më të mirat të zhvilluara deri më sot dhe kanë vlerësuar gatishmërinë e mazhorancës për të bashkëpunuar me opozitën në funksion të reformës zgjedhore dhe përmbushjen e vërejtjeve dhe sugjerimeve të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it. Këto vlerësime u bënë nga Zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Stuart Jones gjatë një takimi në Nju Jork me Ministrin e punëve të jashtme, Ilir Meta.

Jones u shpreh se Uashingtoni mirëpret bashkëpunimin me qeverinë e kryeministrit Berisha dhe mbështet fuqimisht integrimin europian të vendit tonë. Meta e siguroi zyrtarin amerikan për angazhimin e qeverisë shqiptare për të luajtur një rol konstruktiv në shërbim të paqes dhe integrimit europian të rajonit, vendosmërinë e saj në luftën kundër trafiqeve ilegale, korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe pjesëmarrjen aktive në luftën kundër terrorizmit.

Lidhur me Kosovën, bashkëbiseduesit ndanë mendimin mbi rëndësinë e përfshirjes së saj në nismat rajonale si garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë. Integrimi europian i Shqipërisë ishte në qendër të takimeve të Zv/kryeministrit Meta me ministrin e jashtëm të Qipros Markos Kyprianoi dhe atë të Rumanisë, Cristian Diaconescu. Të dy ministrat konfirmuan mbështetjen e tyre për shqyrtimin sa më parë të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, si dhe mbylljen pa vonesë të procesit të liberalizimit së vizave për qytetarët shqiptarë.

Krahas takimeve dypalëshe, Zv/Kryeministri Meta mori pjesë dhe në takimin e Ministrave të Jashtëm të Kartës së Adriatikut, ku edhe bëri një pasqyrë të kontributit të Shqipërisë në drejtim të luftës kundër terrorizmit dhe ruajtjes së paqes e sigurisë në botë./tvklan.al