Sipas Presidentit Ilir Meta çdo masë kufizuese dhe ligji i ri që bëhet në kuadër të masave për pandeminë e koronavirusit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe interesin publik e kombëtar.

Në një deklaratë lëshuar për mediat, kreu i shtetit ka përshëndetur qëndrimin e Këshillit të Europës që thekson se “ky virus po shkatërron shumë jetë dhe shumë gjera të tjera të shtrenjta për ne, por ne nuk duhet ta lejojmë të shkatërrojë vlerat tona themelore dhe shoqëritë tona të lira”.

“Veprimet dhe masat e qeverive, për kufizimin e së drejtës së jetës private, lirisë së ndërgjegjes, lirisë së shprehjes dhe lirisë së organizimit, tërheq vëmendjen Këshilli i Europës, duhet të vendosen vetëm me ligj, në proporcion me rreziqet dhe për aq kohë sa është e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit.

Është me rëndësi që çdo masë kufizuese dhe ligj i ri, të jetë në përputhje vetëm me Kushtetutën dhe me interesin e përgjithshëm publik dhe kombëtar”, thotë Meta.

Meta deklaron se është për shmangien sado që të jetë e mundur të vendosjes së dënimeve të ashpra penale për moszbatimin e masave kufizuese.

“Mbështes qëndrimin për shmangien sado që të jetë e mundur të vendosjes së dënimeve të ashpra penale për moszbatimin e masave kufizuese, pasi siç thekson Këshilli i Europës, ato krijojnë shqetësime serioze për respektimin e të drejtave të njeriut”.

Kreu i shtetit fton qytetarët që të zbarojnë me përpikmëri udhëzimet dhe kufizimet për shkak të pandemisë, por thekson domosdoshmërinë e respektimit të parimeve të demokracisë e Kushtetutës.

Qeveria ka propzuar një draft për të ndryshuar Kodin Penal ku ashpërsohen dënimet për ata që thyejnë urdhrat gjatë gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë.

Sipas propozimeve të dorëzuara në Komisionin e Ligjeve kush nuk u bindet rregullave dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

Nëse shkelja përsëritet, shkon nga 1 muaj deri në 1 vit burg, por nëse kjo rrezikon jetën ose shkakton vdekjen e një personi tjetër, dënimi bëhet nga 1 deri në 5 vjet.

Kush shkel rregullat e karantinimit dënohet jo vetëm me 700 mijë lekë gjobë, por me burg deri në 10 vjet nëse i transmeton virusin dikujt tjetër. Nëse nga kjo shkelje, shkohet vdekja e një personi dënimi arrin deri në 15 vjet.

/tvklan.al