“Do t’i qëndroj në mënyrë të hekurt detyrimit për kreun e KLSH-së”
Të vonuar, por pozitiv e konsideron Presidenti Ilir Meta vendimin e KLGJ për ndërprerjen e mandatit të Ardian Dvoranit nga Gjykata e Lartë. Gjatë konferencës së përjavshme për shtyp, kreu i shtetit deklaroi se për të nuk kanë qenë asnjëherë të rëndësishëm individët, por respektimi i Kushtetutës.
“Mendoj se qëndrimi i presidentit mbetet qëndrim i Kushtetutës dhe i ligjit. Vendimi i djeshëm është i vonuar, por sidoqoftë pozitiv dhe krijon mundësinë për të ruajtur integritetin e institucioneve të reja të drejtësisë. Lidhur me çështjen e parë për Presidentin nuk kanë qenë të rëndësishëm individët. Legjitimiteti i tyre në raport me Kushtetutën është i rëndësishëm, për mua vendimtare ka qenë respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve që janë bërë në respekt të kushtetutës”, tha Meta. Kreu i shtetit iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse ky vendim ishte një dhuratë nga PS në ditën e lindjes së partisë, por mohoi çdo spekulim.
Ai tha se nuk do të paragjykojë se çfarë vendimi do të marrë Kuvendi në lidhje me kandidaturën e tij të katërt për KLSH-në. Sipas Metës, ky institucion duhet të udhëhiqet nga një person që ia garanton pavarësinë.
“Unë nuk dëshiroj të paragjykoj se çfarë do të bëjë Kuvendi, unë di që gjithmonë do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet që dalin në respekt të Kushtetutës. Ajo që dua të theksoj këtu është që në vlerësimin tim për kryetarin e KLSH jam udhëhequr dhe udhëhiqem nga ajo fuqi dhe detyrim që i jep Kushtetuta Presidentit. Më duhet që të shuaj çdo spekulim apo thashethem për të ardhmen lidhur me këtë çështje, që do t’i qëndroj në mënyrë të hekurt këtij detyrimi që i jep Kushtetuta Presidentit dhe në këtë aspekt vlerësoj edhe shumë kandidatë nga ana profesionale që mund të jenë anëtarë të mazhorancës aktuale, që kanë shprehur dëshirën për këtë post. Duhet ta dinë të gjithë që të gjithëve ua kam bërë t qartë se kush është parimi nga jam udhëhequr në propozimin për kryetarin e KLSH. Kjo nuk ka të bëjë me faktin se ata janë socialistë, por kryetari duhet të garantojë pavarësinë e këtij institucioni”.
Meta u shpreh se do të respektojë Kushtetutën kur të marrë vendimin për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale të ardhme megjithatë theksoi se ato “duhet të ishin mbajtur dje”./tvklan.al