Italia ka shprehur edhe një herë mbështetjen e saj për liberalizimin e vizave dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Konfirmimi vjen nga ambasadori italian në Tiranë, Saba D’Elia.
Saba D’Elia: “Dëshirojmë të vëmë theksin pikërisht në marrëdhëniet e mira politike mes dy vendeve dhe kjo dëshmohet nga vizita e kryeministrit Berisha në 12 Shkurt në Romë dhe nga vizita që Ministri i Punëve të Jashtme, Franco Fratini, do të bëjë në Shqipëri më 12 Prill. Italia është vendi që i ka qëndruar më pranë Shqipërisë për sa i përket integrimit në NATO dhe përafrimin e saj me strukturat e Bashkimit Evropian e së fundmi dua të theksoj edhe në procesin e liberalizimit të vizave”.
Zv/kryeministri dhe njëkohësisht Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, është shprehur optimist për liberalizimin e vizave brenda një kohe të shkurtër dhe ka vlerësuar mbështetjen e Italisë në këtë proces.
Ilir Meta: “Kjo pranverë e sivjetshme nuk është thjesht një pranverë italiane. Kjo është një pranverë e vërtetë evropiane për Shqipërinë. Është pranvera e parë pas pranimit të Shqipërisë NATO, ku Italia ka patur një rol të jashtëzakonshëm, por është edhe një pranverë e cila paralajmëron lajme të mira për qytetarët shqiptarë, por edhe të vendeve tjera të Ballkanit, sidomos përsa i takon liberalizimit të vizave, ku Italia luan një rol të jashtëzakonshëm, ashtu sikurse dhe për integrimin evropian të vendeve tona.”
Këto deklarata u bënë gjatë prezantimit të stinës së evenimenteve italiane, i cili do të zgjasë deri në Qershor.
Gjatë saj do të zhvillohen rreth 80 aktivitete të tipit ekonomik, kulturor dhe sportiv./tvklan.al