Pas disa kërkesave të opozitës për interpelancë me kryeministrin që nuk morën miratimin e parlamentit, në këtë sesion te ri Edi Rama iu përgjigj akuzave të opozitës për mbetjet e dyshuara të rrezikshme që kaluan nga porti i Durrësit në Korrik, por që u kthyen mbrapsht nga autoritetet tajlandeze.

Që në nisje Rama bëri të qartë se arsyeja e pranimit të kërkesës për interpelancë që sërish e quan abuzive, ishte thjeshtë dhe vetëm informimi i shqiptarëve me fakte sipas tij dhe jo fletërrufe opozitare.

“Kemi të bëjmë me një aludim psikopatologjik i artikuluar fatkeqësisht nga të njëjtat burime ndotëse të Tiranës politike dhe mediatike”, tha Rama.

Gazment Bardhi i kërkoi të dijë përgjegjësinë e autoriteteve shqiptare për kontrollin e këtyre mbetjeve dhe Rama iu përgjigj duke lexuar të gjithë procedurën e ndjekur nga fabrika e Kurumit deri në mbërritjen në vendin pritës të këtyre eksperteve, që siguron se është e bazuar në standartet e pranuara ndërkombëtare.

Gazment Bardhi: Si janë lejuar të eksportohen nga Porti i Durrësit?

Edi Rama: Në çdo deklaratë të paraqitur nga subjektet private eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme. Edhe sikur këto mallra të deklaruara të ishin të rrezikshme, transporti i tyre në rrugë detare nuk është i ndaluar as nga legjislacioni kombëtar as nga ai ndërkombëtar. Nuk është kryer asnjë lloj analize sepse në asnjë port të botës përveçse në portin e mbetjeve që administrohet nga penxherja e katit të 8 nuk analizohet çdo ngarkesë.

Gazment Bardhi:  Jo zotëri nuk lejohet as sipas ligjit shqiptar, as sipas konventave ndërkombëtare të bësh transport të mbetjeve të rrezikshme nëse nuk ke marrë autorizim apo leje nga vendi pritës.

Edi Rama: Thashë në fillim, përgjatë dhe në fund që këto mallra me këto emra nuk kategorizohen tek mbetjet e rrezikshme. Unë ekspert nuk jam dhe për këtë arsye mësoj duke ulur kokën të lexoj dhe patjetër të dëgjoj.

Por debati e kapërceu objektin e kërkesës për interpelancë duke shkëmbyer dhe akuza penale. Gazmend Bardhi e akuzoi kryeministrin se është i kapur nga krimi organizuar të cilët sipas tij i diktojnë dhe emrat e drejtuesve të policisë.

Gazment Bardhi: Kodi pin i SKy ECC DGLXJM. “O vlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti?”. Përgjigjet kodi sky 7142D9 “Po, por kam frikë se nuk e bën. Mua Mondi më duhet një dimër aty vlla”. Mondi në fakt është drejtori aktual i policisë vendore të Shkodrës.

Por Rama duke iu referuar 2 rasteve të tjera për të cilat është akuzuar nga opozita, atë për përfshirjen e të vëllait në çështjen Xibraka dhe atë për dosjen Babalja, iu premton përballje në  gjykatë për çdo akuzë që ai e quan shpifje të prodhuar nga opozita e 7 penxhereve siç i pëlqen ti referohet Sali Berishës.

Edi Rama: Zotrote je ai që iu the këtyre, iu the atyre, iu the shqiptarëve: kam kallëzuar në SPAK Olsi Ramën. Në fakt kishe kallëzuar vetëm Noc Rrokun sepse i kishe çuar një informacion, mirë e bëre, se ndryshe do përfundoje si babale Salivani që tani shtyn me raporte gjyqin për vendimin e formës së prerë. Do duroj deri këtu SPAK të nxjerrë të vërteten dhe pastaj do kemi dhe një ballafaqim tjetër bashkë. Dhe pështymën që do merrni nga shqiptarët vitin e ardhshëm do ta keni më keq se në ’97-ën!

Tv Klan