Zyrtarët e Los Anxhelosit u kanë bërë thirrje të evakuuarve nga zjarret që të qëndrojnë larg shtëpive të tyre të paktën edhe një javë tjetër, pasi autoritetet do të heqin mbetjet toksike nga lagjet e djegura dhe do të ndërpresin linjat e energjisë elektrike dhe gazit që përbëjnë një rrezik.

Sasitë masive të mbeturinave dhe materialeve toksike kanë bllokuar sistemin e kontrollit të përmbytjeve, i cili do të duhet të pastrohet nëse shirat bien pas asaj që deri më tani ka qenë muaj i nëntë më i thatë. Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se erërat do të pushojnë por ekziston një rikthim i zjarreve të dielën.

Deri më tani janë konfirmuar 27 të vdekur. Të paktën 12,000 struktura, shumë prej tyre shtëpi, janë rrafshuar, ndërsa mbi 90 mijë të tjerë nën paralajmërimet për evakuim edhe pse rreziku ende vijon. Shumë të evakuuar duan të kthehen në shtëpi për të vlerësuar dëmin e pronës dhe për të marrë çdo send personal që i mbijetoi zjarreve.

Qeveria nuk ka publikuar vlerësimet e dëmeve, por kompanitë private parashikojnë se humbjet mund të arrijnë në qindra miliarda dollarë.

Nga ana tjetër një zjarr ka shpërthyer në termocentralin Moss Landing në Monterey County Kaliforni duke nxitur urdhra evakuimi për banorët. Flakët ndriçuan qiellin dhe mund të shiheshin deri në Pacific Grove. 

Zyrtarët e qarkut Monterey lëshuan një paralajmërim për banorët që jetojnë pranë termocentralit që të mbyllin dritaret dhe dyert dhe të mos përdorin njësitë e ajrit të kondicionuar.

Në këtë objekt ndodhen vende magazinimi për bateritë litium, të cilat mund të lëshojnë gazra toksikë në ajër. Mediat lokale shkruajnë se disa prej autostradave dhe shkollave janë mbyllur për shkak të zjarrit në një nga impiantet më të mëdha të ruajtjes së baterive në botë.

Një hetim për shkakun e zjarrit në fabrikën e baterive ka nisur.

Klan News