Nga java e ardhshme, do të bëhet e detyrueshme që të gjithë pronarët e maceve në Angli të kenë mikroçip për miqtë e tyre katërputroshë. Ata që nuk e respektojnë këtë ligj të ri, do të kenë një afat 21 ditor për të pajisur me mikroçip macet e tyre.
Por nëse kjo nuk ndodh, ata mund të përballen me një gjobë të majme deri në 500 Paund. Ky legjislacion i ri është pritur gjatë nga aktivistët e mirëqenies së kafshëve, të cilët besojnë se do të ndihmojë për një siguri më të madhe për miqtë me gëzofë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. “The Mirror” raporton se ligji do të hyjë në fuqi nga 10 Qershori.
Westley Pearson, shef në “Animal Friends Pet Insurance”, u shpreh mjaft i lumtur për ligjin e ri: Ne jemi të kënaqur që miqve tanë më në fund do t’u ofrohet i njëjti nivel mbrojtjeje si qenushëve. Ky ndryshim thelbësor do ta bëjë më të lehtë ribashkimin e çdo maceje me familjet e tyre në rast se do të humbasë apo do të vidhet.
Ai shtoi: Kjo do të nënkuptojë gjithashtu se nëse një mace vritet fatkeqësisht në një aksident trafiku rrugor, pronarët e tyre mund të njoftohen dhe t’u jepet mundësia për t’i thënë lamtumirë siç duhet.
Më tej ai ka thënë se kur kanë anketuar klientët e tyre në vitin 2021, pjesa më e madhe e personave të pyetur ranë dakord që ligji i ri të zbatohet teksa kanë thënë se shihet si një masë e rëndësishme për pronarët e përgjegjshëm të maceve./tvklan.al