Milani fitoi Superkupën e Italisë duke mundur me përmbysje Interin me rezultatin 3-2 në finalen e Riadit. Kuqezinjtë ngritën Superkupën e tetë në historinë e klubit. Triumfi i “Djallit’ erdhi pasi fitoi si ndaj Juventusit, ashtu edhe ndaj zikaltërve me përmbysje.

Pas një pjese të parë të ekuilibruar, zikaltrit kaluan në avantazh në shtesën e pjesës së parë falë Lautaro Martinezit. Interi e nisi me vrull edhe pjesnë e dytë dhe gjeti golin me Taremi. Por Milani i Konceiçaos nuk u dorëzua kurrë.  Hernandez shkurtoi disavantazhin në minutën e 52. 10 minuta nga fundi i kohës së rregullt Pulisiç barazoi shifrat.

Festa ishte e gjitha kuqezi në shtesë, ku Abraham realizoi golin e fitores. Pas takimit, trajneri Serxho Konceiçao shprehu lumturinë për këtë sukses të madh.

“Jam shumë i lumtur për djemtë sepse nuk ishte e lehtë dhe ambient nuk ishte ai optimali! Kemi pasur pak ditë për të punuar në detajet që janë të rëndësishëm dhe u përballëm me dy ekipe shumë të forta. Magjinë e bënë lojtarët që kuptuan mesazhet tona, edhe pse duhet të përmirësohemi më shumë! Me përulësi mund të bëjmë katër muaj në një nivel të mirë në kampinat dhe po ashtu në Ligën e Kampioneve. Festuam, por nga e marta të mendojmë për Kaljarin!”, tha Serxho Konceiçao.

Ndërsa për trajnerin e Interit, Simone Inzaghi, kjo është një humbje e hidhur.

Duhet që të komplimentojmë Milanin që kurrë nuk hoqi dorë dhe ngeli në ndeshje pavarësisht dy golave të pësuar. Pastaj në aksionin e rezultatit 2-1 humbëm një top që duhet ta kontrollonim. Mund të shënonim edhe të tretin, por Manjo u tregua i zoti në rastin e Dumfris. Pastaj pësuam golin e dytë dhe e humbëm takimin. Një humbje që dhemb, kthehemi në shtëpi me shumë zhgënjime! Djeg, por ta rinisim në mënyrën më të mirë!”, tha Simone Inzaghi.

Klan News