Milani vazhdon të punojë për afrimet që do të bëjë në merkaton e Janarit dhe objektivat janë të qartë, në mbrojtje dhe sulm.

Kuqezinjtë duket se janë fokusuar në Premier League, për shkak se e kaluara ka treguar se lojtarët e kampionatit anglez përshtaten shpejt në Itali.

Prej kohësh përflitej për një interesim të Milanit për Marcus Rashford, por nga dita në ditë, kjo pistë po zbehet.

Në këtë situatë, Joao Felix i është propozuar italianëve. Agjenti Jorge Mendes po punon për të gjetur një ekip për sulmuesin portugez, pasi te Chelsea nuk po gjen hapësira, ndonëse në verë u paguan 50 milionë Euro për shërbimet e tij.

Milani do të pranonte një huazim me të drejtë blerjeje në fund të sezonit, ndërsa Chelsea kërkon të përfshijë detyrimin e blerjes.

Sa i përket mbrojtjes, Kyle Walker duket afër një transferimi të mundshëm te kuqezinjtë, një çështje që pritet të mbyllet në ditët e ardhshme. /tvklan.al