Dy persona kanë rënë në prangat e policisë pasi kanë vjedhur brenda një marketi te “Rruga e Dibrës” në Tiranë, plot 15 milionë lekë të vjetra.


Policia ka bërë publike pamjet e kapura në mesnatë më datë 21 Tetor nga kamera e marketit. Shihet se njëri nga grabitësit hap kasafortën, merr paratë dhe i fut në një qese. Largohet krejt i qetë prej aty…

Por ‘arratia’ e tij dhe e bashkëpunëtorit zgjati vetëm 3 ditë. Rei Syla dhe Artur Pashkaj janë arrestuar për veprën penale “vjedhje me pasoja të rënda”.

“Si rezultat, gjatë operacionit policor të koduar “Kasaforta”, u identifikuan dhe arrestuan dy autorët e dyshuar, shtetasit: R. S., 21 vjeç, banues në Pukë, për veprat “Vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 134/3-25 dhe 278/1 të Kodit Penal. A. P., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/3-25 i Kodit Penal. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, më datë 21.10.2024, pas mesnate, kanë vjedhur 1 500 000 lekë në kasafortën e një marketi në Rrugën e Dibrës. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit R. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur të groposur 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me municionin luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me një pjesë të parave të dyshuara të vjedhura dhe veshje që autorët kanë përdorur gjatë vjedhjes”, thonë uniformat blu.

Siç raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, dy autorët janë persona me precedentë të mëparshëm penal, si vjedhja apo grabitja. Ata u zbuluan, edhe pse ishin të maskuar në momentin e vjedhjes, pasi në një zonë që kishte kamera sigurie ata, para se të shkonin në banesat e tyre, hoqën kapuçët dhe maskat.

Kasaforta e marketit kishte 15 milionë lekë të vjetra brenda, por atyre iu janë sekuestruar 8 milionë lekë. Policia e ka të paqartë akoma nëse kanë pasur bashkëpunëtorë nga brenda marketit, pasi derën e kanë hapur me çelës dhe pa thyerje.

/tvklan.al