Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Politizimi i çështjes së Albtelecom-it, pengon procesin e privatizimit. Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli, deklaroi gjatë një konference për shtyp, se procedurat e privatizimit të kompanisë së vetme të telefonisë fikse, do të nisin gjatë këtij viti.

Anastas Angjeli:- “Çdo politizim i tepëruar i problemeve të Albtelecom-it, duke mos nguruar të them, që në qoftë se ka probleme teknike, financiare, të gjithë jemi të angazhuar që ato të zgjidhen, por çdo politizim i tepëruar s’do bënte gjë tjetër veçse do ta pengonte procesin e privatizimit të Albtelecom-it”.  

Ministri Angjeli i konsideron reformat e qeverisë në disa sektorë strategjikë, si të domosdoshme.

Anastas Angjeli:- “Tashmë ne po negociojmë e punojmë që kostot e reformave t’i minimizojmë me qëllim që ato të rëndojnë sa më pak mbi popullsinë, por gjithnjë duke i konsideruar reformat një domosdoshmëri e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE”.

Gjatë vitit 2004 pritet privatizimi i disa kompanive shtetërore, si dhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve të tregtisë së lirë./tvklan.al