Ministri i Brendshëm Taulant Balla pret nga Policia e Shtetit që viti 2024 të shënojë fundin e kultivimit të kanabisit në Shqipëri.

Në një reagim në rrjetet sociale, Balla ka rikthyer në vëmendje deklaratën e tij pasi mori detyrën e ministrit.

“Kur unë mora detyrën u shpreha se një rrënjë kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur. Koha më ka dhënë të drejtë”.

Ministri i Brendshëm u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të informojnë policinë për çdo rast kultivimi të kanabisit.

“Gjatë 24 orëve të fundit Policia e Shtetit ka finalizuar gjashtë operacione kundër kultivimit të lëndëve narkotike Durrës, Vlorë, Lezhë, Kurbin, Mirditë dhe Pukë, me tetë shtetas të arrestuar në flagrancë duke vaditur e prashitur bimët narkotike. Pres nga Policia e Shtetit që viti 2024 të shënojë fundin e këtij fenomeni, ndërsa nxis qytetarët të na ndihmojnë me sa më shumë informacion ndaj çdo veprimtarie të paligjshme”, u shpreh ministri Taulant Balla.

/tvklan.al