Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Nuk kemi me shumicë 104-vjeçar që jetojnë dhe votojnë ende, ndaj Ministria e Pushtetit Vendor do të ndërhyjë në legjislacionin shqiptar për të hequr nga regjistrat e gjendjes civile të gjithë personat e lindur përpara vitit 1900, por duke lënë edhe mundësinë e njerëzve të paregjistruar, që rezultojnë gjallë të reklamojnë qenësinë e tyre.

Nga kjo do të niset për të pasur lista të rregullta për zgjedhjet e ardhshme. Riregjistrimi kërkon kohë. Mbi 7 mijë të vdekur figuronin në listat e votuesve në zgjedhjet lokale.

Ben Blushi: “Nga statistikat tona rezulton, që më pak se 3% e defekteve të listës së zgjedhësve vijnë nga regjistri i gjendjes civile. Ne jemi duke trajtuar gjithë këtë listë dublimesh, apo triblimesh, kur një person është më shumë se dy herë në listën e zgjedhësve, gjë që besoj, në bashkëpunimin me KQZ deri në zgjedhjet e vitit 2005, do të pastrohet. Pavarësisht faktit se sa do arrihet që listat e zgjedhësve të pastrohen deri në vitin 2005, nga ata që nuk janë më midis nesh, besoj që edhe këto rekorde që mund të trashëgohen, nuk krijojnë dhe nuk influencojnë aspak në rezultatin final të votimeve”.

Nga listat e zgjedhësve do të eliminohen edhe personat që figurojnë në më shumë se dy vendbanime. Nga verifikimet rezultojnë mbi 150 mijë të tillë. Ministri Blushi shprehet se do të punohet edhe për kartën e identitetit.

Ben Blushi: “Është e detyrueshme që të kemi sa më shpejtë që është e mundur një kartë identiteti dhe besojë që brenda vitit 2005, me një financim që qeveria ka vendosur t’i bëjë këtij projekti shumë të kushtueshëm dhe shuam të komplikuar ç’është e vërteta, të kemi gjithsekush nga ne një kartë identiteti sipas standardeve ndërkombëtare”.

Qeveria nuk është përgjegjëse për listat, por komunat dhe bashkitë prej të cilave varen dhe gjendjet civile nga ku do të nisë dhe rishikimi i listës./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti