Është cilësuar si edicioni më i mirë ky i këtij viti spektakli Akademia e Yjeve.

Mbas natës magjike të finales, e cila ishte një koncert gala i standardeve ndërkombëtare sot finalistët dhe producentja e këtij spektakli ishin të ftuarit e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, zotit Fatos Beja.

Ai e vlerësoi shumë Akademinë e Yjeve si një projekt arsimor e kulturor që nxit e frymëzon çdo vit talentet e reja të Shqipërisë.

Fatos Beja: “Se ne duam që talentet të shtohen. Ne duam që atë që ju dhatë të rritet, të shtohet, të zgjerohet. Ne duam që në shkollat tona të kemi aktivitete. Në ato që ju keni përfituar gjatë kësaj periudhe ta përcillni me aktivitetet tuaja rinore në shkollat tuaja. Është shumë e rëndësishme, edhe më e rëndësishme që ka dhe nga qytete të tjera përtej kufijve të Shqipërisë. Ne jemi shumë të interesuar dhe dëshirojmë shumë që ju të jeni pjesë e aftësive, talenteve të shqiptarëve kudo që janë.”

Ministri i Arsimit vlerësoi shumë faktin që ky edicion tregoi se ky projekt mund të kthehet në një akademi internacionale, sepse siç tha ai Shqipëria po tregon përmes jush që ka potenciale e talente që mundësojnë një status të tillë integrimi ndërkulturor.

Producentja Zana Çela e falënderoi ministrin për mbështetjen që i ka dhënë MASH katër edicioneve dhe premtoi vazhdimësinë e këtij projekti.

Zana Çela: “Është të thuash detyrë e çdo intelektuali, profesionisti në fushën e tij që sidomos në një moshë të caktuar kur bëhet prind vet të mundohet të japi gjithçka të mirë nga eksperienca e tij, nga karriera e tij dhe të inkurajojë dhe të mundësojë që talentet e reja që lindin vit pas viti në Shqipëri të ecin dhe të avancojnë. Pikësynimi im gjatë sidomos 15 viteve të fundit ka qenë ky që gjithçka që unë kam mundur të trashëgoj nga pedagogët e mi, nga trashëgimia më e mirë shqiptarët që ne kemi në fushën e kulturës në përgjithësi dhe të muzikës në veçanti t’ia përcjellim dhe të mundësojmë brezin e ri që të vazhdojë”./tvklan.al