Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ministri i Rendit Igli Toska në një mbledhje pune me drejtorë të policisë në qarqe, ka komunikuar se në dy muajt e fundit, në brigjet italiane nuk është kapur drogë me origjinë Shqipërinë.

Igli Toska: “Do të ndalem vetëm në një fakt, që prej dy muajsh, sipas statistikave zyrtare italiane, nuk është kapur më drogë me origjinë nga brigjet shqiptare. Ky është një fakt i pamohueshëm dhe s’ka nevojë për koment”.

Sipas ministrit, kjo dëshmon rezultate pozitive të reformës në radhët e policisë, për të cilën Toska ia ka komunikuar, se do të vazhdojë të thellohet.

Igli Toska: “Organizata policore nuk është një ballo me maska, jemi të gjithë këtu për të përmbushur një detyrim kushtetues ligjor, përballë taksapaguesve shqiptarë. Unë dhe stafi im, nuk jemi roberspierët e policisë, ashtu siç jemi të angazhuar jopër të goditur, por për të ndarë pjesën e uniformave blu, anti-polici, do të vijojmë të promovojmë njerëzit profesionistë”.

Po sot, në kuadër të reformës policore, Ministri i Rendit Igli Toska, ka paraqitur në komisionin e Rendit, një projektligj me ndryshimin në ligjin për policinë e shtetit. Në këtë draft kërkohen më shumë kompetenca të ministrit, mbi strukturën e drejtorisë së përgjithshme të policisë. Sipas kryetarit të komisionit të Rendit, ky ndryshim ligjor do të diskutohet në seancë plenare.

Neritan Ceka: “Këtu bëhet fjalë kryesisht, për të hequr disa kompetenca formale të parlamentit, siç është përcaktimi në ligj i strukturës, për t’ia kaluar këto ministrit të rendit, i cili pastaj do të ketë mundësi, që në përputhje me dinamikën e krimit, pran nga krimi i rrugës tek krimi i organizuar të ketë mundësi të krijojë struktura të reja”.

Pritet edhe një mendim nga OSBE dhe misionet e huaja, për asistencë ligjore dhe policore në vend dhe më pas, parlamenti do të vendos nëse do t’i japë ministrit Toska më shumë kompetenca për të ristrukturuar drejtorinë e policisë./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj