Heqja e regjimit të vizave Shengen do të jetë i mundur për shqiptarët në vitin 2009.
Këtë garanci zv/presidenti i Komisionit Evropian, Barroi, ia bëri të ditur Ministrit të Jashtëm, Basha, pasi u informua për hapat e marrë në drejtim të garantimit të kufijve, luftës ndaj emigracionit ilegal, krimit të organizuar dhe korrupsionit, pajisjes së pasaportave biometrike dhe plotësimit të elementëve të tjerë të parashikuar në udhërrëfyes.
Lulzim Basha: “Zoti Barro shprehu bindjen e tij se viti 2009 do të jetë një vit vendimtar për ta kurorëzuar këtë proces dhe unë e falënderova për mbështetjen e tij dhe e sigurova që qeveria shqiptare do të jetë tërësisht e përkushtuar që në 2009-tën Shqipëria përkrah vendeve të tjera të Evropës Juglindore të bëjë pjesë në një hapësirë, e cila lëviz drejt vendeve Shengen pa vizë”.
Arta Tozaj: “Edhe pse Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, tregoi në komisionin evropian rezultatet e arritura në luftën e krimit të organizuar dhe korrupsionit gjatë këtyre muajve komisioneri evropian për zgjerimin, Olli Rehn, insistoi se këto dy çështje mbeten ende shqetësuese për Shqipërinë.”
Sistemi gjyqësor, veçoi Rehn, duhet të tregojë elementë të vazhdueshëm që flasin se janë në gjendje të masin krimin e organizuar dhe korrupsionin, të tregojë se nuk ka të paprekur dhe të shërbejë si shembulli që nuk mund të ekzistojë korrupsioni. Unë jam njohur me punën e bërë, por do të shoh dhe raportin e punonjësve të komisionit që po punojnë gjatë këtyre javëve atje dhe në Nëntor do të paraqesin një progres-raport objektiv, shpjegoi Rehn.
Sigurova komisionierin Rehn, tha ministri Basha, për vendosmërinë e vazhdueshme të qeverisë shqiptare për të vijuar bazuar në politikën gjithëpërfshirëse ndërtimin dhe përforcimin e pavarësisë së institucioneve si dhe përforcimin me një shpejtësi të konsiderueshme të terreneve kushtetuese për reformat e bëra në vend vitet e fundit.
Vendi ka bërë progres në demokraci dhe në çështjet e shtetit ligjor dhe po zbaton mijëra angazhime që rrjedhin nga marrëveshja e ndërmjetme e Stabilizim-Asociimit sipas komisionit evropian, por më shumë përpjekje, sipas Rehn, duhen bërë në lidhje me kulturën demokratike, pavarësinë e institucioneve të shtetit dhe forcimin e shtetit ligjor.
Olli Rehn vlerësoi konsensusin politik, por shtoi se bashkëpunimi ndërpartiak, reforma zgjedhore, ajo në drejtësi, e veçanërisht zgjedhjet e vitit 2009 mbeten çështjet kyçe për integrimin e Shqipërisë.
Raporti i fundit i Bankës Botërore për biznesin u vlerësua nga komisionieri Rehn, madje duke shtuar se këto të dhëna për Shqipërinë komisioni do t’ia paraqesë dhe vendeve anëtare për ecuritë në këtë fushë./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj