Bashkimi Evropian vlerëson edhe një herë se Shqipëria ka bërë progres në të gjithë sektorët veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe proceset integruese.

Deklarata është bërë në Bruksel nga zv/Ministri i Parë i Jashtëm Çek, Tomas Pojar, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian në takimin e parë Bashkimi Evropian-Shqipëri pas hyrjes në fuqi të MSA-së.

Në një konferencë për shtyp me Ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, zoti Pojar në rendin e kryetarit të këshillit duke vënë theksin tek ky progres i qëndrueshëm shprehu bindjen në vazhdimësinë e tij edhe pas zgjedhjeve të 28 Qershorit.

Tomas Pojar: “Jam 100% i bindur dhe i sigurt që është bërë një progres i madh gjatë këtyre viteve të fundit në çdo front të mundshëm në rrugën drejt integrimit me Bashkimit Evropian, i cili do të vazhdojë. Mendoj se është në interesin jetësor të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe mendoj se Shqipëria ka bërë shumë progres, siç kam thënë shumë herë të tjera. MSA është ratifikuar dhe ka hyrë në fuqi. Kemi këtë takim sot këtu, Shqipëria është anëtare e NATO-s, por ka edhe detyra të tjera për t’u përmbushur në të njëjtët binarë me të cilët është arritur deri këtu. Ka shumë punë për t’u bërë, por kam besim se Shqipëria edhe pas zgjedhjeve do të vazhdojë të ecë në të njëjtin drejtim. Bashkimi Evropian do të mbikëqyrë këto procese nga afër,do të japë mbështetjen e tij në integrimin evropian, sepse është në interesin e vetë Bashkimit Evropian”.

Po kështu në këtë takim është diskutuar dhe në lidhje me heqjen e regjimit të vizave, zgjedhjet dhe situatën në rajon.

Përsa i përket liberalizimit të vizave presidenca çeke ka deklaruar se është ende herët për të thënë se cili do të jetë vendimi i Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se të gjitha vendet do të vlerësohen në bazë të arritjeve të tyre dhe zoti Pojar ka hedhur poshtë zërat se ka patur një klasifikim që ka lënë pas Shqipërinë në këtë proces.

Tomas Pojar: “Ka mendime të ndryshme mes anëtarëve të BE-së për procesin e liberalizimit të vizave. Është e drejtë dhe duhet të përmendet se Shqipëria ka bërë progres, por jo të gjitha vendet e kanë nisur nga e njëjta pikë. Jam 100% i sigurt se procesi i liberalizimit të vizave do të ecë përpara ashtu siç jam 100% i sigurt se ne do të vlerësojmë progresin e secilit vend, por tani është shumë shpejt për të folur se cili do të jetë vendimi i këshillit”.

Ministri Basha ka konfirmuar edhe një herë se heqja e vizave mbetet prioriteti i qeverisë shqiptare dhe se kjo qeveri do të bëjë gjithçka për të arritur lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Lulzim Basha: “Një gjë është e sigurt. Ne jemi të vendosur për të bërë çdo gjë që duhet për të plotësuar çdo kriter të mundshëm që t’i mundësojmë Shqipërisë marrëveshjen me Bashkimin Evropian për liberalizimin e vizave.”

Përsa i përket procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike dokumente këto të domosdoshëm për heqjen e vizave kryediplomati shqiptar theksoi se ky proces po ecën normalisht dhe garantoi se zgjedhjet e Qershorit do të jenë brenda standardeve të Bashkimit Evropian, ndërsa përsa i përket këtij takimi ministri Basha tha se ai shënon një start të ri të marrëdhënieve Tiranë-Bruksel./tvklan.al