Qeveria shqiptare po përgatitet të kërkojë së shpejti statusin kandidat.
Me sebepin e marrjes së udhërrëfyesit mbi vizat, Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, u takua jo vetëm me drejtorin e përgjithshëm për zgjerim, Michael Leigh, por dhe me këshilltarin e shefit të diplomacisë evropiane, Javier Solana, Stefan Lenen, si për të dëshmuar se marrëdhënia me BE-në po intensifikohet.
Lulzim Basha: “Duhet të jesh me sy të lidhura dhe veshë të mbyllura të mos kuptosh që Shqipëria ka ndezur të gjithë motorët, ka intensifikuar të gjitha veprimet dhe së shpejti do të jetë edhe formalisht e gatshme të ngrejë në një nivel më të lartë marrëdhënie formale me Bashkimin Evropian.”
Kriteri i shumë përmendur nga Komisioni Evropian për të kërkuar statusin kandidat, zbatimi i MSA-së dhe ratifikimi i saj duket se po përmbushet.
Këtë e pohoi vetë komisioneri evropian për zgjerim, por Shqipëria lihet lehtë në harresë meqenëse nuk është vend problematik në rajon.
“Shqipëria ka bërë përparim të sigurt, por vendi është lënë disi në hije pasi Shqipëria nuk ka njohur probleme madhore si Serbia, Bosnja apo Kosova”, thotë Rehn.
“Gjërat në Shqipëri janë zhvilluar më në heshtje, por disi në mënyrë më të qëndrueshme. Për shembull ne kemi patur në fuqi me Shqipërinë gjatë dy viteve të fundit marrëveshjen e ndërmjetme dhe Stabilizim-Asociimit dhe duhet të them se Shqipëria e ka zbatuar siç duhet këtë marrëveshje. Ka patur disa parregullsi, por në përgjithësi Shqipëria ka qenë e aftë të kryejë detyrimet që vë MSA. Ka disa probleme që lidhen me korrupsionin dhe krimin në Shqipëri. Ka patur progres dhe në reformën në drejtësi dhe në luftën ndaj korrupsionit, por mbetet akoma shumë për t’u bërë dhe madje mund të them se kjo është sfida e vetme madhore e qeverisë, parlamentit dhe qytetarëve të Shqipërisë”, thotë Rehn.
Përfaqësuesi i presidentit slloven pak ditë më parë tregoi se ky vend do ta mbështesë Shqipërinë nëse ai do të tregojë ambicioze, sikundër dhe zv/presidenti i asamblesë parlamentare franceze apo austriaku, Zvoboda.
Ngurrimi i qeverisë mund të kuptohet dhe nga fakti se Bashkimi Evropian është i lodhur nga zgjerimi edhe sepse dy shtetet e fundit, Bullgaria dhe Rumania, të papërgatitura ekonomikisht e informalitet dhe treg të zi, i sollën BE-së dhe praninë e krimit të organizuar dhe korrupsionin, por institucionet evropiane e shohin Ballkanin si hap të radhës në procesin e zgjerimit.
Nëse Shqipëria aplikon në Shtator si kundër ka kërkuar dhe shefi i opozitës, Edi Rama, atëherë brenda mandatit të komisionit, Barroso, që përfundon në Dhjetor 2009 Shqipëria do të mund të përfitonte statusin kandidat./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj