Ministria e Kulturës ka publikuar edhe zyrtarisht lajmin për pranimin e Beratit si pasuri e UNESCO-s. Në një konferencë të posaçme për shtyp ministri Pango e ka cilësuar këtë ngjaje si një lajm të gëzuar për të gjithë shqiptarët, duke ja dedikuar suksesin jo vetëm qeverisë shqiptare dhe institucioneve që punuan për hartimin e dosjes, por edhe qytetarëve të Beratit.

Ylli Pango: “Është vërtet një sukses i punës së shumë njerëzve është një rezultat i një përgatitje të gjatë, pse të mos e themi i integrimit, bashkëpunimit punës së madhe që është bërë jo vetëm nga institucionet tona shkencore po dhe nga mbështetja që ka dhënë qeveria vazhdimisht. Nganjëherë kur prononcohesh siç u prononcova në kalanë e Petrelës dhe diku tjetër që do ta pranojnë Beratin kisha emocion se mos nuk pranohej dhe, por ke kishim shumë besim dhe kjo u realizua.”

Sipas  Pangos me përfshirjen e Beratit në pasurinë botërore të UNESCO-s, qyteti 2400 vjeçar do t’i nënshtrohet një faze të re restaurimi të qendrave historike dhe objekteve kulturore me një vlerë fondesh që do t’i kalojnë 1.2 milion dollarët.

Ylli Pango: “Në mbledhjen e qeverisë unë propozova shtimin e fondeve edhe në veçanti për Beratin dhe më është thënë shprehimisht kështu, fjalë që kjo do të mbahet këtë vit, që sapo Berati të pranohet padyshim që qeveria do të japi fonde edhe më shumë se çka dhënë për Gjirokastrën.”

Pas suksesit të arritur me Beratin, ministri i kulturës ka shprehur ambicien e tij për të filluar aplikimin për pranimin në UNESCO edhe të qytetit të Durrësit dhe parkut antik të Bylisit. Qyteti i Beratit u pranua në UNESCO një ditë më parë në mbledhjen e komitetit të trashëgimisë botërore të zhvilluar në Kanada, duke marrë 21 vota pro dhe asnjë kundër./tvklan.al

Gazetar: Leonard Mitro