Me 21 vota pro dhe asnjë kundër qyteti i Beratit është pranuar si pasuri e trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO. Në mbledhjen e radhës të zhvilluar në Kanada qyteti 2400 vjeçar ka bindur të gjitha anëtarët e komitetit të UNESCO-s për vlerat e rralla që mbart, duke ju shtuar kështu listës së vendeve më me vlerë në planet.

Dosja voluminoze e përgatitur nga ministria e Kulturës në bashkëpunim me institucionet e tjera në varësi të saj, bëri që brenda një viti Berati të kalojë nga faza e kandidimit në atë të anëtarësimit në UNESCO.

Ylli Pango: “Është vërtet një sukses i punës së shumë njerëzve është një rezultat i një përgatitje të gjatë, pse të mos e themi i integrimit, bashkëpunimit punës së madhe që është bërë jo vetëm nga institucionet tona shkencore po dhe nga mbështetja që ka dhënë qeveria vazhdimisht, asgjë nuk është rastësi, po çdo gjë është arritur me punë shumë të madhe aq sa po bisedonim pak më përpara me profesor Emin Rizën më tha, nganjëherë kur prononcohesh siç u prononcova në kalanë e Petrelës dhe diku tjetër që do ta pranojnë Beratin kisha emocion se mos nuk pranohej dhe, por ne kishim shumë besim dhe kjo u realizua.”

Në materialin e dërguar komitetit të trashëgimisë botërore, përfshihet restaurimi i 47 banesave karakteristike të Beratit, ruajtja e objekteve të kultit, miratimi i planit rregullues të qytetit, puna për restaurimin e urës së “Goricës”, si dhe një sërë projektesh të tjera. Në këtë mënyrë qyteti i një mbi një dritareve i është shtuar listës specifike të pasurisë botërore duke u bërë bashkë me Gjirokastrën dhe Butrintin objekti i tretë në Shqipëri që merr statusin mbrojtjes nga  UNESCO./tvklan.al