Ministri i Financave, Ridvan Bode, i ka paraqitur komisionit të ekonomisë ecurinë e buxhetit faktik të vitit 2007.

Duke paraqitur shifra konkrete ministri theksoi se ky buxhet ka ndikuar pozitivisht në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në vend pavarësisht kërcënimeve nga kriza botërore.

Sipas tij ul ndjeshëm barrën tatimore për biznesin. Eksportet u rritën, inflacioni u ndal brenda objektivave, por ndërkaq problem vijon të mbetet realizimi i të ardhurave nga pushteti vendor.

Ridvan Bode: “Të ardhurat në buxhetin e shtetit janë realizuar në masën 96%. Janë realizuar rreth 252 miliard lekë si të ardhura në buxhet, janë rreth 22 miliard më shumë në krahasim me një vit më parë. Ritmin më të madh të të ardhurave ka në të ardhurat tatimore dhe doganore. Janë më të larta në krahasim me vitin 2006 me 14%. Të ardhurat që kanë shfaqur një problematikë gjatë vitit 2007 janë të ardhurat nga pushteti lokal. Ato kanë një deficit prej rreth 4 miliard lekësh. Janë realizuar vetëm në masën 70%”.

Por të dhënat mbi realizimin e të ardhurave janë kundërshtuar nga opozita nën pretendimin se ky zë nuk ka njohur progres krahasuar me vitin 2006.

Arben Malaj: “Të ardhurat e përgjithshme në ekonominë shqiptare në vitin 2006 janë parashikuar 25.7%, pra 25.7 lekë në 1 qind lekë, të prodhuara në ekonominë shqiptare dhe në vitin 2007 po kanë ndalur prapë në 25.7%. Ndërsa tentohet të mblidhet më shumë nga taksat e tatimet gati ka shkuar në pikën 0 ajo që konsiderohet jo vetëm ndihmë, por dhe grandet, pra ekonomia në tërësinë e saj për dy vite resht ka një rritje zero nga të ardhurat në buxhetin e saj”.

Në lidhje me buxhetin faktik të 2007-ës është prononcuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Kreu i këtij institucioni, Robert Çeku, tha se gjatë 93 kontrolleve të ushtruara janë vërejtur parregullsi në mbledhjen e të ardhurave tatimore, si edhe në një sërë tenderash publikë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro