Ministria e Arsimit sërish në konflikt me botuesen Teuta Mati. Kësaj here shkak është bërë botimi i një fletoreje për nxënësit e ciklit të ulët që shtëpia Botuese e Librit Shkollor të Re e drejtuar nga zonja Mati ka hedhur në treg në mënyrë pirate, sipas Ministrisë së Arsimit.

“Kjo fletore pirate është botim i Shtepisë Botuese të Librit Shkollor e Re me botuesen zonjën Teuta Mati e cila në kontratën e shtypjes së kësaj fletoreje, kjo është dhe kontrata përkatëse, pra zonja Mati ka bërë një kontratë me shtypshkornjën “Urtësia Bektashiane”, kontratë e cila mban datën 26.08.2004. Është një kontratë e kundraligjshme në kundravajtje të plotë me të gjithë legjislacionin në fuqi të shtetit shqiptar dhe me rregulloret e vendosura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.”

Ndërsa botuesja Mati ka hedhur poshtë pretendimet e Ministrisë së Arsimit e cila ka bërë dhe një padi penale në Prokurorinë e Tiranës kundër saj.

Teuta Mati: “Ne jemi fitues në datën 8 qershor të paketës kurrikulare të Matematikës 1. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka financuar vetëm këtë libër dhe këtë fletore, ne kemi vazhduar punën për plotësimin e paketës kurrikulare me fletoren që i duhet nxënësit me të katër autorët. Kjo fletore ka marrë ISBN të rregullt në Bibliotekën Kombëtare, nuk është financuar nga Ministria e Arsimit.”

Vetëm një muaj më parë Mati akuzoi Ministrinë e Arsimit për shkelje të të drejtave të autorit pasi nuk kishte marrë më parë pëlqimin e autorëve dhe botuesve për shtypjen e teksteve shkollorë të arsimit parauniversitar. /tvklan.al