Pas alarmit për gripin e shpendëve, Ministria e Bujqësisë bën të ditur se deri më tani nuk ka rezultuar asnjë person i prekur nga H5N1. Në një përditësim të situatës pas identifikimit të një vatre me gripin e shpendëve në periferi të Tiranës, Ministria e Bujqësisë nënvizon se ISHP ka analizuar 90 mostra, por të gjitha kanë rezultuar negative. Vetëm gjatë fundjavës janë monitoruar 2,304 ferma, në të cilat mbarështohen mbi 96 mijë shpendë të kategorive dhe llojeve të ndryshme.
“Në kuadër të transparencës publike ju bëjmë me dije se situata e gripit të shpendëve është nën monitorim dhe kontroll, nga zinxhiri institucional i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për zbulimin dhe kufizimin e hershëm të përhapjes së virusit H5N1. Përgjatë fundjavës, në datat 30 Tetor-3 Nëntor 2024, grupe ditore me përbërje të 7 veterinerëve zyrtarë të shërbimit dhe kontrollit, janë angazhuar në terren, sipas përcaktimeve të perimetrit të zonës së mbrojtjes dhe mbikëqyrjes për: inventarizimin dhe monitorimin klinik të 2304 fermave, në të cilat mbarështohen 96 900 shpendë të kategorive dhe llojeve të ndryshme”.
Të gjithë kampionet e personave të dyshuar si të prekur nga H5N1 janë testuar në ISHP e kanë rezultuar negative.
“Kampionet në njerëz të marra janë testuar nga Instituti i Shëndetit Publik dhe kanë rezultuar negative. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po bashkëpunon ngushtë me Institutin e Shëndetit Publik, i cili po kryen një survejancë të përforcuar për infeksionet respiratore në zonën e fermës së prekur nga sëmundja, përkatësisht, për zbulimin në kohë dhe marrjen e masave kundër virusit H5N1”.
Ministria e Bujqësisë nënvizon se Qendrat Kombëtare dhe Rajonale të Krizës do të vazhdojnë koordinimin dhe funksionin e tyre deri në përfundim të hetimit epidemiologjik.
Klan News