Lajme Arkiva – TV Klan 2004

42 miliardë dollarë është fatura financiare për të zbutur varfërinë dhe reduktuar problemet sociale në shkolla dhe shëndetësi. Aktualisht vendi ynë disponon vetëm gjysmën e këtyre burimeve financiare, gjë që i bënë të vështira sfidat e shtetit me plagët e shoqërisë shqiptare.

Shifrat janë publikuar nga PNUD në raportin kombëtar mbi objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit. Ndërkohë Ministri i Financave konsideron, se ka arritje në shëndetësi, arsim dhe zbutjen e varfërisë.

Arben Malaj: “Në kuadër të reformave të rëndësishme strukturore, shpesh herë duke përballuar me vetëdije, shumë kosto sociale dhe politike të pashmangshme, në emër të qartësisë, shpejtësisë dhe reformave, i parë në tërësinë e tij, problemi i zhvillimit dhe rezultatet, nuk po gjykohen vetëm nga treguesit makroekonomik të zhvillimit, siç janë rritja ekonomike, niveli inflacionit, deficiti buxhetor, por gjithnjë e më shumë qeveria po fokusohet në mënyrën e shpërndarjes së përfitimeve në pjesë të ndryshme të territorit, apo midis grupeve të ndryshme sociale.”

Sipas PNUD-it, brenda 10 viteve të ardhshme, qeveritë duhet të mobilizojnë afro 22 miliardë dollarë fonde shtesë për të luftuar varfërinë dhe problemet sociale. /tvklan.al