Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ministria e Financave ka reaguar një ditë pas deklarimit të Prokurorisë së Përgjithshme, se prej disa ditësh nuk kanë marrë pagën jo vetëm punonjësit e saj, por edhe ata të gjykatës. Por bllokimi i pagave nga Ministria e Financave u justifikua nga kjo e fundit me shtimin e punonjësve në organikën e prokurorisë, për të cilën nuk është informuar zyrtarisht kjo ministri.

Në një njoftim për shtyp të saj thuhet, se “Ministria e Financave ka kërkuar numrin e verifikimin e numrit të punonjësve dhe depozitimin e detajuar të këtij numri në të gjitha strukturat në rrethe”.

Në këtë proces pati shumë institucione buxhetore, të cilat duke mos depozituar në kohë dokumentacionin e mësipërm që i është kërkuar vetëm në zbatim të ligjit, nuk mundën të realizonin marrjen e pagave. Veprim ky në përputhje me udhëzimet e zbatimit të buxhetit.

Ministria e Financave ka deklaruar, se duke ndjerë domosdoshmërinë e tejkalimit të këtij ngërçi të përkohshëm, ka bllokuar vetëm pjesën e fondit që tejkalon limitet e përcaktuara në ligjin për buxhetin e shtetit të viti 2004. Ndërkohë asnjë nga punonjësit e prokurorisë, përfshirë edhe prokurorin e përgjithshëm nuk është paguar./tvklan.al