Më 2 Mars të vitit 1444 drejtuesit e fiseve më të mëdha shqiptare do të mblidheshin në Lezhë për të krijuar të parin bashkim kundër pushtuesve osmanllinj, Besëlidhjen e Lezhës.
Sot, 565 vjet më vonë sërish bëhet thirrje sërish për bashkim, kësaj radhe jo kundër pushtuesit, por për ta çuar Shqipërinë në rrugën e sigurt drejt integrimeve euroatlantike.
Për të përkujtuar Kuvendin e Lezhës Ministria e Kulturës organizoi një sërë aktivitetesh në këtë qytet.
Ylli Pango: “Është e veçantë sot në Lezhë të festojmë dhe të rikujtojmë këtë ditë të shënuar sepse për një muaj Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Do të doja të vija në dukje edhe një herë që në data të tilla të shënuara, në përvjetorë të tilla historike është e rëndësishme t’i kujtojmë dhe një herë vetes që pikërisht ky bashkim, ky bashkim i madh kombëtar. Një luftë e madhe e cila filloi me Skënderbeun, na ka çuar në këto ditë demokracia sot, na ka çuar në këto ditë ku ne presim anëtarësimin e plotë në NATO, në këto ditë kur integrimi i Shqipërisë në Evropë është gjithnjë e më i afërt.”
Kuvendi i Lezhës u mbajt më 2 Mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit. Në të morën pjesë udhëheqësit shqiptar dhe ishte një besëlidhjeje politike e ushtarake, ku kryetar u zgjodh Gjergj Kastrioti./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle