Ministria e Punëve Publike ka reaguar ndaj pretendimeve të ngritura nga opozita në lidhje me mungesën e oponencës për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, duke i cilësuar këto si mashtrime të radhës.
Erla Mëhilli: “Nën dirigjimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, mediat e kontrolluara prej tij rifilluan sot bombardimin me gënjeshtrat mbi rrugën Durrës-Kukës. Në respekt të transparencës ndaj publikut sqarojmë se çdo pretendim i ngritur në shkrimet që shpërndan Edi Rama nëpër mediat e kontrolluara nga lejet e ndërtimit është spekulativ, i gënjeshtërt dhe i pacipë. “
Ministria e Punëve Publike sqaron se në ndërtimin e akseve rrugore, kostoja për kilometër varet në një masë të madhe nga terreni ku kalon rruga. Madje shumë vende të Evropës për një kilometër kanë shpenzuar qindra milion euro.
Erla Mëhilli: “Në Suedi autostrada “Sodra” 6 kilometra kushtoi 850 milion euro, pra 140 milion euro për kilometër. Po në Holandë rruga “Delft Rotterdam”, 7 kilometra e gjatë ka kushtuar 700 milion euro, pra 100 milion euro për kilometër. Në Poloni seksioni autostradal S8 kushtoi 1 miliard ose 100 milion dollarë për një kilometër”./tvklan.al