Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Në Nëntor policia shqiptare do të fillojë një fushatë me goditje të rreptë frontale ndaj trafiqeve klandestine. Në një mbledhje analizë të Drejtorisë së Policisë, për tre muajt e fundit, krerët e rendit në drejtimin e Ministrit Poçi kanë analizuar si një sukses për këtë periudhë, sigurimin e procesit zgjedhor, por në kohën e mbetur deri në fund të vitit, do të zbatohen disa projekte të ministrisë, për luftën kundër krimit të organizuar ka urdhëruar ministri Poçi.
“Gjatë kësaj periudhe duhet t’iu tregojmë partnerëve se dimë të punojmë, për të mos qenë një nyje e trafiqeve sidomos në Adriatik”, ka kërkuar ministri i Rendit. Po sot në Ministrinë e Rendit, në një mbledhje kokë më kokë Poçi me drejtorët e policisë, kanë analizuar në lidhje me situatën në rrethin e Tropojës, duke formuluar një plan konkret për masa sigurie në qytetin e Bajram Currit, pas trazirave në muajt të fundit./tvklan.al