Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Pastrimi i plazheve përpara sezonit turistik ishte faktori që ndikoi direkt në shtimin e numrit të pushuesve në vend. Ministria e Turizmit investoi 45 milion lekë për largimin e mbeturinave. Por sigurimi i rendit, qetësisë, furnizimit me energji elektrike në zonat turistike dhe ndërgjegjësimi i pushtetit vendor për kushte normale, rritën numrin e atyre që zgjodhën Shqipërinë për pushime.
Në ditën ndërkombëtare të turizmit dhe mbylljes së sezonit turistik, ministria bën analizën, pika kufitare e Morinës ka shënuar dhe fluksin më të madh të pushuesve kryesisht nga Kosova. Gjithashtu Rinasi, porti i Durrësit dhe pika kufitare e Qafë Thanës, kanë pritur rreth 23% të numrit të turistëve të huaj.
Bashkim Fino: “Deri në 15 shtator të këtij viti, numri i hyrjeve të turistëve është rreth 335 mijë pushues. Në qoftë se e krahasojmë shifrën e hyrjes së turistëve me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi një rritje prej 43 mijë pushuesish, ose e shprehur në përqindje 15% më shumë se vitit 2003.”
Por ministri Fino nuk rendit vetëm arritjet, problemeve iu paraprin për vitin e ardhshëm.
Bashkim Fino: “Negativisht ka ndikuar gjendja e disa segmenteve rrugore të papërfunduara dhe kështu mund të përmend punimet në segmentin rrugor Shkodër-Velipojë, apo Elbasan-Librazhd-Pogradec, të cilat kanë sjellë pakësimin e fluksit turistik nga Greqia.”
Materialet promocionale, broshurat historike, kulturore, fletëpalosjet të qyteteve turistike kanë bërë punën e tyre për të thithur turistët e huaj./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti