Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaroi nga Saranda se shërbimi i urgjencës do të jetë në standarde bashkëkohore në të gjithë vendin.

Gjatë inaugurimit të ambienteve të reja të urgjencës në këtë qytet zonja Godo theksoi faktin se një qendër e tillë bashkëkohore është tashmë në shërbim të qytetarëve, por edhe të turistëve të shumtë.

Anila Godo: ”Të inaugurosh një qendër shëndetësore të urgjencës do të thotë të kesh inauguruar një shërbim më të mirë dhe në një nivel më të mirë shërbimi dhe në shërbimet e tjera. Është jo vetëm e detyrueshme, e imponueshme që ne këtyre turistëve t’iu ofrojmë një shërbim urgjence të përshtatshëm dhe një nivel të mirë bashkëkohor, por është dhe në nderin tonë si shëndetësi dhe si qytetarë është në nderin e vendit që këtyre turistëve t’iu ofrojmë një shërbim urgjence të përshtatshëm. Faktikisht është duke u punuar për një, do të thosha një menaxhim të integruar të shërbimit të urgjencës në rang nacional që do të thotë nëpërmjet projekteve që ne kemi, projekte të mëdha, që ne kemi me Bankën Botërore, me kooperacionin italian dhe me qeverinë japoneze ne do të synojmë që çdo qytetar në republikë të ketë në një nivel të njëjtë dhe të përparuar të shërbimit që ofron urgjenca shëndetësore.”

Sipas saj kushte të tilla shërbimi shëndetësor, përveç infrastrukturës dhe investimeve të tjera, janë një shtysë për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në këtë zonë./tvklan.al