Një premtim i mbajtur. Ministrja franceze e sportit, Amelie Oudea-Castera e cilësoi “emocion të papërshkrueshëm” zhytjen në lumin Sena të shtunën.
Një çast i shumëpritur dhe tani autoritetet franceze shpresojnë të tregojnë se lumi i kryeqytetit është mjaft i pastër dhe gati për të notuar gjatë Lojërave Olimpike.
Më pak se dy javë nga fillimi i Lojërave më 26 Korrik, ministrja Oudea-Castera notoi për një kohë të shkurtër në Senë.
“E kemi ëndërruar këtë çast, e kemi pritur, është bërë një punë e madhe prej disa vitesh,” tha ministrja Oudea-Castera për televizionin BFM pasi notoi së bashku me sportistin AlexisHanquinquant. “Falë Lojërave, ne do të përballemi me sfidën për ta bërë lumin të notueshëm.”
Garat e notit dhe triatloni i Olimpiadës, që do të zgjasë deri më 11 Gusht, do të zhvillohen në Senë. Lumi i famshëm u përdor edhe gjatë Lojërave Olimpike të Parisit të vitit 1900.
Kryetarja e bashkisë së Parisit, AnneHidalgo, e cila mbështeti fushatën për të pastruar lumin, ka premtuar gjithashtu se do të notojë në Senë për të shënuar ardhjen e Olimpiadës në Paris.
Qeveria franceze ka shpenzuar afërsisht 1.5 miliardë Dollarë për përmirësimin e objekteve të trajtimit të ujërave të zeza përgjatë lumit, në mënyrë që të pastrohen rrugët ujore.
Vitin e kaluar, mediat vendore raportuan se tre teste të planifikuara për lumin u anuluan për shkak të niveleve të larta të E.Coli.
Klan News