Kirurgia plastike Senera Hoxha është ndër njerëzit që ruajnë miqësi të gjata, madje edhe prej moshës 3-vjeçare. Përtej mungesës së takimeve të përditshme me to, Hoxha thotë se asgjë nuk ndryshon pasi biseda vijon gjithnjë sikur mos të kishte ndalur kurrë. Në miqësi ka patur edhe krisje, shprehet kirurgia në “Shije Shtëpie” në Tv Klan por ia kanë dalë gjithnjë ta ruajnë për shkak të dashurisë për njëra-tjetrën.

Senera Hoxha: Unë kam shoqe dhe shokë kopshti me të cilët më pas kam qenë edhe në shkollë dhe gjithashtu kam edhe shoqe të tjera që i kam zënë si të thuash, në fakultet që është një stad tjetër i jetës sepse duhet të kuptojmë që ajo shoqëria që është e fëmijërisë, ndonjëherë shkon deri në gjimnaz dhe pastaj rrugët ndahen dhe ti nuk e gjen më veten. Unë kam disa shoqe që i kam që nga kopshti, ne kemi që 3 vjeç bashkë, shoqe të cilat unë sot nuk i takoj përditë sepse ato kanë një rrjedhë tjetër jete, nuk janë në mjekësi, nuk kanë ditën time, impenjimet e mia, kanë secila profesionet e veta, ama kur ne takohemi, është sikur e kemi lënë bisedën “stop” dhe “play”. Asgjë nuk ndryshon gjatë kësaj periudhe që ne nuk shihemi përditë. Në momentin e parë që do takohemi do tregojmë gjithçka që na ka ndodhur, si të thuash, ne kemi një shprehje që “do hapim pak barkun” kur duam të rrëfejmë sekretet dhe është ky gjysmëorëshi i parë që ne ia themi njëra-tjetrës të gjitha dhe pastaj vazhdon normalisht, por kudo ku të takohemi. Kam shoqëri të tilla.

Katerina Trungu: Goxha vite e paske mbajtur shoqërinë që atëherë.

Senera Hoxha: Që sa mbaj mend, e mbaj mend atë gocë në jetën time.

Katerina Trungu: Nuk ka ndodhur që të keni patur krisje?

Senera Hoxha: Po, ka patur. Ka patur disa momente që kemi patur krisje, qoftë edhe nga  palë të treta që janë përpjekur për të na bërë keq, për të na ndarë, për të na distancuar,  por mendoj se dashuria jonë për njëra-tjetrën është aq e madhe…unë ndryshe nga Ina nuk kam motra, kam vetëm një vëlla shumë të vogël që më shumë e ndiej si bebin tim sesa si vëllain tim, nuk e kam dikë që mund të shkoj dhe t’i them sekrete, nuk e kam në rrethin tim të shoqërisë dhe unë gjithmonë me gocat kam patur një marrëdhënie të tillë që unë i doja dhe i bëja motra, doja t’i merrja të flinin te shtëpia ime, doja të shkoja tek ato, të ndanim gjithçka bashkë./tvklan.al