25 vjet janë mjaftueshëm për të nënkuptuar një miqësi të përjetshme, të pastër, të ndërtuar mbi themelet njerëzore të palëkundshme nga koha e sprovat. Në rrëfimin e saj për Rezarta Reçin në “Ka Një Mesazh Për Ty”, Flutura Açka nuk u ndal vetëm te koha e tyre së bashku, por edhe te veçantitë që e  përbëjnë gazetaren një profesioniste, një njeri që nxjerr më të mirën e të tjerëve përmes cilësive të saj dhe një grua që s’dorëzohet.

Këto ia përcjell edhe përballë ekranit në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, me fjalë që i dalin lirisht nga zemra, shoqëruar me një ndjesë për kohën e munguar të tre viteve të fundit.

Flutura Açka: E dashur Rezi! Në fakt fjalët s’i kam zgjedhur, fjalët i zgjedh aty kur shkruaj librat, kur flet me zemrën, zemra nuk ka nevojë për fjalë shumë të  zgjedhura. Të falenderoj për atë që je, për  njerëzoren që më ke dhënë mua, për njerëzoren që i ke dhënë këtij rrethi miqsh të përbashkët. Ne kemi një histori të gjatë, shumë të bukur ç’është e vërteta, miqësie. Do të doja të bëja edhe një ndjesë, le të  jetë një ndjesë publike. Duket ndonjëherë kur njeriu hyn në politikë, duket sikur politika na e merr kohën dhe ma ka marrë kohën në një mënyrë të padrejtë dhe ne nuk jemi takuar aq shpesh këto tre vitet e fundit. Jo se jam e shkujdesur, por në ditëlindjet, në ngjarjet tona, nuk u jap atë kujdes të regjistrimit të axhendave, për shkak të natyrës. Ti nuk ke harruar kurrë të kujtosh kur i kemi ditëlindjet dhe të përcjellësh emocion në momentin tonë më të vështirë. Veçmas në momentet, në vitet, në orët, në muajt që vazhdojnë sigurisht, duken pambarim, flas personale tani, ti ke qenë aty dhe ke qenë një sup ku kam pasur nevojë të qaj.

Mbi të gjitha, Rezarta, ti je njeri që di të dëgjosh dhe kam kuptuar në këto tre vite të përballjes me ekranin, me politikën, rrallë e kam gjetur një njeri të dytë që të të dëgjojë. Mbi të gjitha do të doja të të falenderoja, besoj edhe në emër të shumë njerëzve të ekranit dhe televizionit  për punën e palodhur tënden dhe me shumë dashuri e dashamirësi në arkivimin e figurave që sot i mungojnë Shqipërisë fizikisht, por janë për shkak të dashurisë tënde. Më ka prekur shumë mënyra sesi e trajtoje personazhin, mënyrën si më ke trajtuar mua shumë të re, por edhe më pas, ka qenë një gjë shumë prekëse. Jam e bindur që edhe personazhe të tjerë të artit e kanë ndier këtë dorë kaq njerëzore./tvklan.al