Komisioni hetimor parlamentar për transparencën e procesit elektoral të 28 Qershorit, ngritja e të cilit u votua në seancën plenare të së premtes vetëm me votat e mazhorancës, pritet të nisë nga puna javën që vjen.

Sipas deputetit demokrat, Eduard Halimi objekti i hetimit do të prekë të gjitha çështjet ndaj të cilave socialistët pretendojnë se janë shënuar shkelje të rënda, përveç atyre thekson ai që kanë të bëjnë me vendimin e gjykatave apo ndaj të cilave është regjistruar më parë  kallëzim penal në prokurori.

Eduard Halimi: “Komisioni do fillojë punën e tij javën e ardhshme, deputetët e PS të cilët akoma nuk kanë përcaktuar emrat e tyre janë të mirëpritur në komision. Një hetim i cili do përfshijë të gjitha problemet që PS-ja e ka kërkuar si çështjen e hetimit të qeverisë në lidhje me përdorimin sipas tyre të administratës publike, çështjen e lirimit sipas tyre të të dënuarave që paskan votuar dhe e paskan bërë të humb PS-n, çështjen e hetimit të KQZ-s mbi përdorimin e teknologjisë dhe një sërë veprimesh të tjera që ata kanë kërkuar, si dhe marrin si çdo provë ashtu siç përcaktohet në kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, siç përcaktohen në urdhërimet e Gjykatës Kushtetuese të të gjitha atyre  dokumenteve apo fakteve të cilat nuk kanë qenë të diskutuara në vendimet e kolegjit zgjedhor apo në vendimet e juridiksionit gjyqësor.”

Për demokratët transparenca e plotë e zgjedhjeve do të vijojë pavarësisht tërheqjes socialistëve nga nismat e tyre ligjore për hetimin e plotë të procesit elektoral të 28 Qershorit.

Komisioni hetimor do të ketë në përbërje të tij 15 deputetë, mes të cilëve 8 i takojnë mazhorancës dhe 7 përfshi këtu kryetarin që i takon opozitës.

Ndryshe nga nisma e socialistëve ku kërkohej që komisioni të ushtronte veprimtarinë e tij për një afat 24 mujor me votat e mazhorancës në seancën maratonë të së premtes, u vendos që të reduktohej në 3 muaj afati i ushtrimit të veprimtarisë së tij./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro